Pikë kalimi në Sukobinë do të shndërrohet edhe në pikë komerciale
Ulqin, 6 maj - Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve kanë takuar udhëheqjen e Komunës së Ulqinit ku kanë biseduar lidhur me lehtësirat për bizneset dhe turistët nga Kosova.
Nazif Cungu, kryetar i Komunë së Ulqinit, tha se edhe sivjet janë më të përgatitur për pritjen e turistëve, kanë bërë investime të mjaftueshme që tu ofrohen kushte komode.
Jemi të interesuar që të rrisim numrin e turistëve nga Kosova dhe duhet të eliminohen të gjitha shqetësimet që nga kufiri e këtej, tha kryetari.
Cungu, tregoi se ka kërkuar nga komandanti i policisë, që të mos ketë pritje të gjata në kufij, por jepen arsyetime se duhet bëhen kontrolle për shkak të kalimeve të mallrave të dëmshme.
Sipas tij çdo ditë ka raste të ndryshme në të cilat nuk kursehen as familjet, fëmijët dhe gratë shtatzëna, për të cilët askujt nuk ia merr mendja se bartin gjëra të paligjshme.
Këto ditë do të kenë edhe një takim tjetër me policinë ku prapë do të kërkojnë kontrolle më të lehta, por pa premtuar se ato do të eliminohen.
Kemi kërkuar që pikë kalimi në Sukobinë të shndërrohet edhe në pikë komerciale dhe e cila pritet të ndodh vitin që vjen. Është kërkuar që të bëhet vetëm një kontroll e jo dy, tha kryetari i Ulqinit.
Cungu, tregoi se kanë arritur që të investojnë shumë në të gjitha fushat. Pas mbarimit të ndërtimit të rrugës nga Sukobina për në Ulqin, të fazës së parë, këto ditë pritet të kryhet edhe faza e dytë dhe pas mbarimit të sezonës turistike të vazhdoj e treta.
Kryetari, tregoi se janë në mbarim të urës mbi Portomileno, e cila do të zvogëloj rrëmujën e gjatë të automjeteve.
Ai përmendi edhe realizmin e shumë investime tjera të dobishme për pushuesit dhe ulqinakët.
Na gëzon fakti që tashmë ka prodhime të Kosovës nëpër restauronte dhe supermarkete.
Gjatë vitit po ashtu do të ketë edhe më shumë prodhime nga Kosova e të cilat janë të preferuara nga turistët, tha Cungu, duke ftuar edhe bizneset, afaristët hotelier, ata të dyqaneve, që të sjellin prodhimet e Kosovës në Ulqin.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se me qëllim të rritjes së vlerave ekonomike, bashkëpunimit më të madh ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre të Ulqinit janë arritur tri marrëveshje.
Me kryetarin e Komunës së Ulqinit, jemi dakorduar që të ofrohen më shumë shërbime dhe atë më të lira dhe të merren me prioritet të gjitha kërkesat e bizneseve dhe qytetarëve gjatë sezonës turistike, tha Shahini.
Tash disa vjet AKB-ja, kërkon që pikë kalimi Muriqan- Sukobinë të shndërrohet edhe në pikë komerciale, me qëllim të sjelljes së prodhimeve nga Kosova më shpejt e të cilat janë të kërkuara nga turistët nga Kosova.
Kjo kërkesë e AKB-së pritet që së shpejti do të realizohet, tha kryetari Agim Shahini. Ai tregoi se Kosova ka mjaft fabrika prodhuese dhe mund të sillen prodhimet dhe kemi shpreh gatishmërinë që të jemi në këtë sezonë edhe me prodhimet.
Kryetari i AKB-së, shtoi se më shumë se pesëdhjetë kompani të Kosovës që kapin një shifër mbi pesë mijë artikuj të Kosovës të cilat do të jenë në sezon. Ai ka kërkuar nga kryetari i Ulqinit që ato të trajtohen mirë.
Ndihemi mirë që prodhimet nga Kosova janë të ekspozuara dhe do të jenë tek turistët. Këto janë më të lira se në Kosovë dhe kjo do të bënë një treg të mirë dhe tu ofrohet prodhuesve kosovar dhe në të njëjtën kohë tu ofrohet edhe pushuesve kosovarë në Ulqin. Ata duhet ti gjejnë pastaj bashkëpunuesit e tyre dhe të promovojnë sa më shumë mallin e tyre, tha Shahini.