Përurohet Laboratori për Përgatitjen e Ujëmatësve për Verifikim
Prishtinë, 20 maj - Me rastin e Ditës Botërore të Metrologjisë, Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), në kuadër të aktiviteteve që ka paraparë për ta shënuar këtë ditë, sot ka përuruar Laboratorin për Përgatitjen e Ujëmatësve për Verifikim, në Prizren.
Për Ditën Botërore të Metrologjisë, në hotel Marash në Prizren, fillimisht u mbajt një takim me përfaqësues të institucioneve relevante për ta shënuar këtë ditë.
Në fjalimin e tij, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, tha: Është kënaqësi e veçantë që ne sot në Kosovë po e shënojmë Ditën Botërore të Metrologjisë dhe që Kosova po i bashkëngjitet vendeve tjera të botës, ku metrologjia përbën bazën ose shtyllën kryesore të lëvizjes së lirë të mallrave dhe të një organizimi të një tregu modern, të bazuar në ekonominë e tregut, tha Nikaj.
Ai shtoi se ne kemi ndarë një besim të qëndrueshëm së bashku me gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe posaçërisht me Bashkimin Evropian se vetëm përmes garantimit të infrastrukturës së duhur të cilësisë dhe të garantimit të produkteve dhe shërbimeve të duhura në treg, ne mund të kemi një ekonomi të konsoliduar dhe ekonomi moderne të tregut.
Sa i përket metrologjisë posaçërisht besoj se kemi shënuar një hap kualitativ përpara në drejtim të organizimit të shërbimeve që ne i bëjmë në drejtim të bizneseve, ku të njëjtën kohë duke mos e harruar edhe rëndësinë e ofrimit të këtyre shërbimeve ose ofrimit të këtij ambienti të biznesit për konsumatorë, theksoi ministri Nikaj, duke shtuar se të gjitha këto përparime edhe në fushën e akreditimit dhe standardizimit e kanë një qëllim, që ti shërbejnë një tregu sa më të mirë dhe sa më të besueshëm për konsumatorin final, qofshin individë apo biznese që marrin mallra apo shërbime.
Për ta shënuar këtë ditë ishte prezent edhe ish-drejtori i Institutit të Metrologjisë Ligjore në Prizren, Fikret Mustafa, i cili theksoi se shpresoj se edhe më tej Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Instituti i Metrologjisë Legale do të angazhohen në fuqizimin e Metrologjisë, në të mirë të zhvillimit ekonomik të Kosovës, si dhe në lëmi tjera.
Teuta Luboteni, zyrtare në Laboratorin e Masës, Rrjedhjes dhe Vëllimit në MTI, e cila theksoi se sot Metrologjia në Kosovë është në binarë dhe se vetëm duhet vazhduar kontinuitetin me risitë që zhvillohen në këtë fushë.
Udhëheqësi i Divizionit për Infrastrukturë të Cilësisë në MTI, Astrit Hasani, në mes tjerash, potencoi se në kuadër të agjencioneve që funksionojnë si autoritet të pavarura, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bashkëpunim të ngushtë me këto agjencione dhe me komponentë mbështetës si Inspektorati i Tregut dhe me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit për të bërë edhe koordinimin në promovimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik për rolin që kanë këta mekanizma për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Për rolin e Metrologjisë në përgjithësi foli Blerim Sokoli, Drejtor i Përgjithshëm i Metrologjisë në MTI, i cili fillimisht foli për aktivitete me rastin e kësaj dite duke filluar me përurimin e nisjes së verifikimit të ujëmatësve dhe ofrimin gratis të shërbimeve metrologjike në ditët në vijim.
Metrologjia, nënkupton të gjitha aspektet teorike dhe praktike të matjes. Matja është njëra ndër veprimet më të hershme intelektuale të njeriut. Matjet e para në përcaktimin e sasisë apo madhësisë kanë qenë krahasuese, ku ndër shprehjet fillestare kanë qenë: e madhe, e vogël, shumë, pak etj.
Prandaj, Metrologjia në vete është fushë shumë e gjerë, e që organizohet në tri nënfusha bazike të veprimit si: Metrologjia Shkencore, Metrologjia Aplikuar, Teknike ose Industriale dhe Metrologjia Ligjore , theksoi Sokoli duke bërë të ditur se edhe në Kosovë është organizuar Metrologjia në Drejtori të Përgjithshëm.
Ndërsa, Besim Baraliu, kryeshef ekzekutiv në Kompaninë Rajonale Hidroregjioni Jugor, foli për aktivitetet e kompanisë dhe bashkëpunimin me organizata të ndryshme dhe veçanërisht me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për të avancuar fushat që kanë të bëjnë me metrologjinë, siç e ka bërë këtë vit MTI-ja, duke ia huazuar kësaj kompanie një pajisje moderne për verifikimin e ujëmatësve, e cila do të dhjetëfishojë efikasitetin e punës në shërbimin e servisimit të ujëmatësve.
20 Maji - Dita Botërore e Metrologjisë për herë të katërt festohet edhe në Republikën e Kosovës, duke e shënuar me aktivitete përcjellëse siç ishte edhe përurimi i Laboratorit për Përgatitjen e Ujëmatësve për Verifikim, në Prizren.