PE u kërkoi vendeve anëtare të luftojn bashkërisht evazionin fiskal
Bruksel, 23 maj - Parlamenti Evropian (PE) miratoi të martën në Strasburg dy rezoluta, ku u kërkohet vendeve anëtare të BE-së të marrin masa më të forta dhe të shtojnë koordinimin, për të luftuar bashkërisht evazionin fiskal.
Në rezolutat e miratuara u bëhet thirrje vendeve të BE-së të shtojnë bashkëpunimin dhe të bashkërendojnë sistemet e tyre fiskale, për të parandaluar kompanitë të transferojnë fitimet në \"parajsat fiskale\".
Tjetër kërkesë e rezolutave është përmirësimi i kontrollit të të dhënave doganore, me qëllim që të kufizohet evazioni.
Krahas kësaj, BE-ja duhet të arrijë unanimitet edhe në përkufizimin e \"parajsave fiskale\" dhe të hartojë një \"listë të zezë\" të mospaguesve të taksave.
Sipas Parlamentit Evropian, tani vëllimi i taksave të papaguara në vendet e BE-së arrin në afro 1 trilionë euro, prandaj këto vende duhet të luftojnë së bashku evazionin fiskal dhe ta përgjysmësojnë këtë shifër para vitit 2020.