OEK, merr në shfrytëzim Qendrën e Panaireve
Prishtinë, 24 prill - Në vazhdën e politikave të përkrahjes së sektorit privat, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë nënshkruar Marrëveshjen e bashkëpunimit për dhënien në shfrytëzim të Qendrës së Panaireve në Bërnicë të Prishtinës.
Marrëveshja është nënshkruar, të enjten në Prishtinë, nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj dhe Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Me këtë rast, MTI-ja do t\'i ofrojë Odës Ekonomike të Kosovës në shfrytëzim për pesë vitet e ardhshme Qendrën e Panaireve në Bërnicë, me sipërfaqe prej 6000 m2 dhe parkingun e objektit.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, e falënderoi stafin teknik që ka punuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje, si nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë po ashtu edhe nga ana e Odës Ekonomike të Kosovës.
Është një moment shumë i rëndësishëm për faktin që një aset në të cilin ka investuar MTI-ja, më qëllim të përkrahjes së zhvillimit të sektorit privat, më në fund po vendoset në funksion pikërisht nga sektori privat, e ku më mirë se nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë ministri Nikaj.
Ai po ashtu theksoi se Ministria dhe Oda Ekonomike kanë për qëllim që ta fuqizojnë dhe ta promovojnë punën që po bënë sektori privat, duke shprehur bindjen e plotë që me qendrën e panaireve dhe me funksionalizimin e saj shënohet një hap shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.
Ngjarja e parë, panairi i përvjetshëm që organizon Oda Ekonomike e Kosovës, që ka të bëjë me promovimin e sektorit privat do të ndodhë shumë shpejt. Besoj që Oda nuk do të ndalet vetëm me këtë panair, por do të bëjë punën e vet më të mirë edhe në panairet tjera, ka thënë ministri Nikaj.
Ministri i MTI-së, në fund të nënshkrimit të këtij memorandumi falënderoi z. Gërxhaliu për iniciativën dhe përkrahjen, duke i dëshiruar punë të mbarë me qendrën e panaireve.
Ndërkaq, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se në qoftë se dikush i meriton falënderimet atëherë këto falënderime duhet ti adresohen ministrit Nikaj dhe stafit të tij.
Kjo që po ndodh sot është një dëshmi se të gjitha këto kanë kuptimin për avancimin e partneritetit publiko-privat dhe janë duke u formalizuar. Vetë fakti që sot po nënshkruhet një memorandum i tillë dëshmon se MTIja dhe z. Nikaj vërtet janë duke u munduar për sektorin privat dhe të mos flitet por të veprohet për promovimin e vlerave të produkteve të Kosovës. Besoj që e gjithë kjo është në kuptimin e përbashkët që sektori privat të jetë gjenerues i vendeve të reja të punës, promovues i vlerave të prodhuesve kosovarë dhe besoj që kjo qendër me partneritetin e dëshmuar do të ketë edhe dimensione tjera, ka thënë z. Gërxhaliu.