Nikaj: Puna e mirë e vitit 2013 do të vazhdojë në 2014
Prishtinë, 29 dhjetor - Zëvendësministri I Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bernard Nikaj, në konferencën e fundvitit prezantoi të arriturat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për vitin 2013 dhe planet për vitin 2014.
Gjatë vitit 2013 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vazhduar me implementimin e objektivave strategjikë që janë përkrahja e sektorit privat, avancimin e politikave tregtare, dhe përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave.
Viti që po e lëmë pas, ishte vit I sukseseve, por edhe i sfidave për MTI-në. Fillimi I negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, reformat e të bërit biznes, puna e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe bashkëpunimi me sektorin privat, janë vetëm disa nga sukseset e MTI-së për vitin 2013- tha zv.ministri Nikaj.
Fillimi I negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit konsiderohet si një nga sukseset më të mëdha të MTI-së për vitin 2013. Ne kemi filluar dhe kemi përfunduar dy raunde të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Duke e pasur parasysh që një pjesë e madhe e MSA janë çështjet tregtare, ne konsiderojmë se kjo është një nga sukseset më të mëdha të MTI-së për këtë vit. Deri në pranverën e vitit 2014 në shpresojmë që do të ti përfundojmë negociatat dhe Kosova do të jetë e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, theksoi zv.Ministri Nikaj.
Zv.Ministri Bernard Nikaj vlerësoi që ngritja e Kosovës në ranglistën e Raportit të Bankës Botërore e të Bërit Biznes është një tregues i qartë që progresin në përmirësimin e ambientit për biznes po e pranojnë edhe institucionet ndërkombëtare. Në Raportin e Fundit të Bankës Botërore e të Bërit Biznes, Kosova është ranguar një nga 5 vendet më reformatore të botës.
\"Në dy vitet e fundit Kosova është ngritur në këtë raport për 40 vende. Nga 189 vendet e analizuara, Kosova tani renditet në vendin e 86. Një vit më përpara Kosova ishte e ranguar në vendin e 96-të, ndërsa në vitin 2011, Kosova ishte në vendin e 126-të. Në vitin 2014 ne do të vazhdojmë me reformat për të përmirësuar edhe më tepër ambientin e të bërit biznes në Kosovë tha zv.ministri Nikaj.
Në aspektin e infrastrukturës ligjore, MTI në vitin 2013 ka 8 ligje të reja të dekretuara, 3 ligje në Kuvendin e Kosovës, 2 projektligje në procedurë dhe 17 udhëzime administrative të nënshkruara. Në vitin 2014 MTI ka në agjendën legjislative 7 ligje tjera për miratim në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
Si arritje të MTI-së për vitin 2013, zv.ministri Nikaj përmendi edhe krijimin e zonave të lira ekonomike, tranfserin e aeroportit të Gjakovës nga ushtria italiane te Qeveria e Kosovës, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, promovimin e investimeve, zhvillimin e projektit të Brezovicës dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë.
Duke e falënderuar për punë në MTI, ish-zëvendëskryeministren dhe ministren e Tregtisë dhe Industrisë, tani kryetare e Gjakovës, z.Mimoza Kusari Lila, zv.ministri Nikaj njëkohësisht falënderoi të gjithë gazetarët dhe mediat për punën e tyre gjatë vitit 2013 dhe shprehu urimin e tij për një punë të mbarë në vitin 2014.