MTI në përkrahje të ndërmarrësve të rinj
Prishtinë, 16 maj - Nëpërmjet Panairit për Ndërmarrësit e rinj, i cili po mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, të rinjve po iu jepet mundësia që të ekspozohen përballë bizneseve të ndryshme kosovare, duke shkëmbyer ide dhe duke përfituar nga eksperienca e bizneseve ekzistuese.
Në ceremoninë e hapjes së këtij panairi, kryeshefi i Agjencisë për Promovim të Investimeve në Kosovë (APIK), Valdrin Lluka, theksoi se MTI-ja është duke punuar në drejtim të fuqizimit të sektorin privat, rritjes së ndërmarrësisë, ndihmesës në qasjen në financa të bizneseve, si dhe në aspektin e lehtësirave tatimore e financiare për bizneset në përgjithësi.
Grantet për biznese mikro, të vogla dhe të mesme, Fondi garantues i kredive, Skema voucher si dhe Inkubatori i Biznesit-Qendra Inovative në Gjakovë janë katër projekte që kanë për qëllim zhvillimin e kulturës së ndërmarrësisë, theksoi Lluka.
Veçanërisht u potencua projekti i granteve që është në bashkëpunim me BE-në ku janë ndarë 4 milionë euro (3 milion nga BE-ja dhe 1 milion nga MTI) për të ofruar grante për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Grantet mikro do të jenë 5-25 mijë euro, kurse ato për NVM-të nga 25-200 mijë euro.
Ndërsa, U.d. e zevendësdrejtorit të USAID-it, znj. Tania Urquieta, tha se ky panair do tu mundësojë të rinjve ta paraqesin kreativitetin dhe idetë e tyre inovative.
Ndërmarrësit e rinj të cilët po marrin pjesë në këtë panair kanë qenë përfitues të granteve nga Programi për Ndërmarrësit e Rinj (YEP), program ky i cili mbështet të rinjtë për zhvillimin e biznesit të tyre duke iu ofruar ndihmë financiare dhe teknike.
Në panairin Ndërrmarrësit e rinj po marrin pjesë 82 kompani të ndërmarrësve të rinj, 4 banka, AMNVM dhe ICK.
Ky panair është bashkëorganizuar nga Agjencia për Mbëshjtetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (AMNVM), që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Programit për Ndërmarrësit e Rinj (YEP) të USAID-it.
Panairi do të jetë i hapur nga 16 deri 18 maj 2013.