MTI i ka dhënë rëndësi rregullimit të infrastrukturës ligjore
Prishtinë, 23 qershor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në kuadër të fushatës informative mbi rolin dhe funksionimin e infrastrukturës së cilësisë në zhvillimin ekonomik të vendit, të hënën në Prishtinë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ka mbajtur një takim informativ me bizneset dhe qytetarët.
Në këtë takim është prezantuar infrastruktura e cilësisë, që ka për synim ngritjen e vetëdijes mbi të gjitha fushat që mbulohen në kuadër të saj, si: Standardizimi, Akreditimi, Metrologjia, Mbikëqyrja e Tregut, Mbrojtja e Konsumatorit, Vlerësimi i Konformitetit si dhe rëndësia e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.
Besim Zeqiri, këshilltar i ministrit Bernard Nikaj, pasi falënderoi të pranishmit në emër të ministrit, tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në kuadër të fushatës informative mbi rolin dhe funksionin e infrastrukturës së cilësisë në zhvillimin ekonomik të vendit, është duke organizuar takime informative me bizneset dhe qytetarët në të gjitha regjionet e Republikës së Kosovës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në vazhdimësi ka cekur që prioritet i kësaj Ministrie është zhvillimi i sektorit privat, dhe e ka përkrahur këtë sektor në mënyra të ndryshme, tha Zeqiri, duke shtuar se infrastruktura e cilësisë është bazë e nevojshme dhe e domosdoshme për zhvillimin e Metrologjisë, vëllimit, shërbimeve dhe tregtisë.
Ai më tej theksoi se cilësia dhe siguria e produkteve që prodhohen anë e mbanë Kosovës janë objektiv i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Zhvillimi dhe përsosja e infrastrukturës së cilësisë në Kosovë do të luan rol kyç në ngritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve në tregun vendor dhe atë të jashtëm, eliminimin e barrierave të mundshme tregtare, sigurinë dhe mbrojtjen e mjedisit si dhe mbrojtjen e konsumatorëve në Republikën e Kosovës, ka thënë Besim Zeqiri, këshilltar i ministrit Nikaj.
Ai po ashtu theksoi se gjatë këtij mandati, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka dhënë rëndësi rregullimit të infrastrukturës ligjore.
Ndër të tjera, Ministria ka kaluar Ligjin për metalet e çmuara dhe tash Departamenti i Metrologjisë bënë matjen aq të mirë, sa kontrollon sasi të arit gjatë një jave sa ka kontrolluar në të kaluarën për një vit. Për më tepër, Ministria me sukses ka negociuar MSA-në, ku infrastruktura e cilësisë ka qenë njëra ndër kushtet kryesore, ka përfunduar ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vlerësoi lart rëndësinë e debatimit për këtë temë shumë të rëndësishme, që ka të bëjë më kualitetin dhe cilësinë e produkteve që prodhohen anembanë Kosovës.
Nëse nisemi nga ky parim, gjithmonë do të punojmë drejt përmirësimit të shërbimeve rreth qytetarit. Në fakt, ne jemi duke bashkëpunuar edhe me disa organizata, individë, që të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve, tha ai.
Kryetari Ahmeti theksoi se Komuna është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj por edhe të luajë një rol kyç për të gjitha ato kompetenca të cilat janë në kompetencë të saj.
Ahmeti falënderoi Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për organizimin e këtij takimi duke i garantuar dhe siguruar mbështetjen e Komunës në këtë proces.
Më pas, gjatë tryezës, janë bërë një varg prezantimesh nga zyrtarët e Agjencisë së Standardizimit, Agjencisë së Akreditimit dhe Agjencisë së Metrologjisë.
Përmes këtyre takimeve me komunitetin e biznesit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të nxjerrë përfundime dhe rekomandime që do ti shërbejnë përmirësimit në koordinimin e rregullatorëve dhe politikave ekonomike zhvillimore.