MTI: Derivatet e naftës për nxehje janë brenda standardeve
Prishtinë, 7 shkurt - MTI ka njoftuar se derivatet e naftës të përdorura për nxehje në shkollat Prishtinës janë brenda standardeve të përcaktuara me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Kosovë.
MTI bën monitorimin e vazhdueshëm të tregtisë së naftës dhe derivateve të saj në Kosovë përmes trupave të autorizuara nga MTI, që përfshijnë dy trupa inspektuese që janë përgjegjëse për marrjen e mostrave të naftës, dhe dy laboratorë të cilët janë përgjegjës për kontrollin e kualitetit të naftës së importuar dhe tregtuar në Kosovë. Kjo do të thotë që ne monitorojmë cilësinë e naftës të importuar në Kosovë dhe tregtimin e saj brenda tregut të Kosovës duke përfshirë të gjitha pikat e shitjes së karburanteve, thuhet në komunikatën e MTI-së.
Nëse MTI merr raporte nga këta laboratorë që nafta përmban sasi të mëdha të sulfurit, më të larta sesa janë të lejuara me udhëzim administrativ, ato raste procedohen në gjykata të cilat pastaj duhet të marrin vendime për dënimet dhe ndalimin e aktivitetit tregtar me naftë të kompanive përgjegjëse.
Këtu vlen të përmendet se kontrolli i cilësisë së naftës nëpër shkolla nuk është përgjegjësi e as mandat i MTI-së, por është përgjegjësi e institucioneve komunale. Mandati i MTI-së për kontroll të cilësisë së naftës fillon me rastin e importit të naftës në Kosovë dhe përfundon në kontrollin e kualitetit në të gjitha pikat e shitjes së karburanteve në vend.
Megjithatë, pas shqetësimeve të dala se në shkollën fillore Gjergj Fishta përdoren derivate të naftës për ngrohje jashtë standardeve të lejuara, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht inspektorët e tregut kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për kontrollin e kualitetit të derivateve të naftës në rezervuarët e kësaj shkolle.
Analizat e dala rezultojnë që ky derivat i naftës është JO konform me kërkesat e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 17/2012 për përdorim në automjete të transportit mirëpo plotësisht në përputhje me UA për përdorim për ngrohje.
Për të sqaruar situatën plotësisht MTI ka ndërmarrë edhe një aksion më të gjerë gjatë të cilit ka marrë mostrat në dy shkolla tjera në Prishtinë si dhe ka kontrolluar deponitë e kontraktuar nga Komuna për furnizim me derivate të naftës.
Rezultatet e dala nga dy shkollat tjera kanë rezultuar me përmbajtje të sulfurit prej, 175 ppm, dhe 84 ppm, të cilat janë në suaza të pranueshme për derivatet e naftës që përdoren për ngrohje sipas UA 17/2012.
MTI gjithashtu ka marrë mostra edhe në deponinë e furnizuesit dhe sipas rezultateve të testimit ka dalë të ketë përmbajtje të sulfurit më të vogël se 5 ppm (saktesisht 4.56 ppm). Me këto rezultate ne kemi informuar edhe autoritetet relevante komunale.
Sipas UA 17/2012 i cili përcakton nëse një produkt i naftës është konform ose jokonform parametrave të parapara me standarde ndërkombëtare kemi disa lloje te derivateve të naftës që përdoren për ngrohje si më poshtë:
Vajrat e rënda për ngrohje sipas UA 07/2012 Për Cilësinë e Produkteve Të Lëngëta Të Naftës por edhe sipas direktivës evropiane 2005/33/EC lejohen të kenë përmbajtje të sulfurit deri në 10,000 ppm (dhjetë mijë ppm) apo shprehur në përqindje deri në 1% (m/m). Ky produkt përdoret edhe në ngrohtore të qytetit në Prishtinë si dhe në shumë institucione tjera publike.
Vajrat gazore (gazoili) për ngrohje sipas UA 07/2012 por edhe sipas direktivës evropiane 2005/33/EC lejohen të kenë përmbajtje të sulfurit deri në 1,000 ppm (një mijë ppm) apo shprehur në përqindje deri në 0.1% (m/m).
Ndërsa, dizeli dhe benzina të cilat përdoren për motorët me djegie të brendshme (automjetet) sipas të njëjtit udhëzim administrativ lejohen të kenë përmbajtje të sulfurit jo më shumë se 10 ppm.
Prandaj, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njofton qytetarët se nafta që importohet dhe tregtohet në Kosovë është sipas standardeve të lejuara.
Nafta në tregun e Kosovës është brenda standardeve të parashikuara me ligj, e parrezikshme për shëndetin, dhe e pranuar me standardet e Bashkimit Evropian.
MTI konsideron se është konkludim i ngutshëm dhe joprofesional të klasifikohet një karburant si kancerogjen duke u bazuar vetëm në përmbajtjen e sulfurit në atë karburant. Përmbajtja e sasisë së sulfurit në këto karburante të testuara është brenda kufirit të lejuar për vajrat për ngrohje.
"Në fund vlen të theksohet gjithashtu se është përgjegjësi e menaxhmentit të autoriteteve komunale që të sigurohen që rezervuarët ku deponohet nafta janë të pastruara dhe nuk përmbajnë materie të cilat mund të dëmtojnë kualitetin e derivateve të naftës.Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet komunale dhe të ofrojmë mbështetje institucionale që rastet e tilla të mos përsëriten, thuhet në komunikatë.