Minoritete kërkojnë të investohet edhe në mjediset e tyre
Mitrovicë, 2 korrik - Takimi i tetë, në kuadër të dëgjimit buxhetor për vitet 2015-17, është mbajtur me përfaqësuesit e komuniteteve.
Drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Nysret Maxhera, nën drejtimin e të cilit janë organizuar takimet, tha se gjatë planifikimit të buxhetit që do të realizohet në vitet e ardhshëm, do të merren parasysh edhe kërkesat e komuniteteve.
Ai shprehu bindjen se do të ketë një bashkëpunim më të mirë në realizimin e planeve dhe projekteve në të mirë të bashkësisë.
Fatmir Krasniqi, përfaqësues I komunitetit rom, tha se lagja rome në Mitrovicë përballet me mungesë të infrastrukturës, siç është mungesa e ndriçimit publik, mungesa e kanalizimit etj.
Ai tha se komuniteti rom, si problem kryesor ka papunësinë e madhe.
Mendoj që në vitet në vijim, për komunitetet duhet të jetë një buxhet edhe më I madh. Kërkoj nga ju që edhe Zyrës për komunitete t`i ndani më shumë buxhet, në mënyrë që të na ndihmojnë në realizimin projekteve tona, tha ai.
Edhe Bashkim Krasniqi, përfaqësues i komunitetit Ashkali, tha se ky komunitet përballet me vështirësi të shumta, sië është shkollimi, punësimi, mungesa e infrastrukturës etj.
Sadik Deliqi, përfaqësuesi I Komunitetit boshnjak, tha se boshnjakët kanë vështirësi. Si problem kryesor Deliqi ka përmendur papunësinë e madhe që mbizotëron në mesin e boshnjakëve. Ai tha se si problem tjetër është edhe mungesa e një shkolle në gjuhen boshnjake.
Nënkryetari i komunës për komunitete, Eroll Zekirija, tha se në bazë të evidentimit të kërkesave do të hartohen projekte të ndryshme që do të realizohen.
Sipas tij, nevojat janë shumë më të mëdha se buxheti, por komuna do të mundohet të gjejë një kompromis në të ardhmen me përfaqësuesit e komuniteteve.