06 Janar 2025

Mbahet forumi i biznesit Kosovë - Zvicër

Prishtinë, 1 korrik - Biznese të shumta nga Zvicra vizituan sot Kosovën, ku u njoftuan nga krerët e shtetit për mundësitë që ofron vendi ynë për ta.

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari – Lila, në fjalën hapëse tha se Zvicra mbetet mbështetësi më i madh i sektorit privat, ndërsa investimet e huaja nga ky vend janë në rritje.

“Në vitin 2012 investimet e huaja nga Zvicra janë rritur për 30%, duke u bërë vendi i tretë më i madh sa i përket investimeve në Kosovë”, - theksoi ajo.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Kusari - Lila, i informoi dhjetëra investitorë potencialë  nga Zvicra për iniciativat që Qeveria e Kosovës po ndërmerr në vazhdimësi për përmirësim të ambientit për të bërë biznes.

Theks të veçantë i dha krijimit të zonave të lira ekonomike, Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka këtë organ me qëllim të intensifikimit të dialogut publiko-privat. Ministrja Kusari – Lila shtoi se Kosova ka marrëveshje për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve me Zvicrën, që shërben si garantues ligjor për çdo investitor nga vendi i tyre.

Për fund, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari - Lila përmendi sektorët e energjisë dhe minierave, bujqësisë, procesimit të ushqimit, drurit dhe metaleve si dhe një mori sektorësh tjerë me potencial të lartë për investitorët nga jashtë.

Pjesë e këtij forumi të rëndësishëm , tanimë vjetor, ishte ambasadorja zvicerane në Kosovë, znj. Krystyna Marty Lang, e cila tha se Kosova ka një qasje mike ndaj bizneseve dhe se është duke shënuar progres në prodhim.

Ajo u shpreh se vendin që ajo e përfaqëson e përkrah fuqishëm Kosovën në zbutjen e papunësisë dhe përmirësimin e mëtejmë të ambientit për të bërë biznes.

Më tutje, kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve (APIK), Valdrin Lluka, prezantoi në aspektin teknik arsyet pse të investohet në Kosovë si dhe asistencën e agjencisë të cilën ai e drejton mund ta ofrojë për çdo investitor që sheh Kosovën si destinacion për të investuar.

Në fund, u prezantuan eksperiencat e investitorëve aktualë në Kosovë.

Gjatë ditës së nesërme delegacioni me biznese zvicerane i përcjellë nga kryeshefi i APIK-ut dhe nga përfaqësues të ECIKS do të bëjnë vizita në Gjakovë dhe Gjilan.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)