Lamborghini, i pakonkurrencë në shitje
Milano, 13 mars - Kurrë nuk bën të thuhet se nuk ka treg për makina të shtrenjta. Muajin e kaluar, Ferrari zbuloi se ka regjistruar shifra rekorde të fitimit ndonëse ka shitur më pak makina se një vit më parë. E tani, edhe rivali tjetër, Lamborghini, ka raportuar të hyra rekorde.
Për vitin fiskal të 2013, Lamborghini ka raportuar se të hyrat e kompanisë janë rritur për të tretin vit radhazi duke u rritur nga 469 milionë euro sa pati vitin e kaluar, në 508 milionë euro. Lamborghini raporton se ka riinvestuar 20 për qind të këtyre të hyrave në R&D, transmeton Koha.net.
Rritja e të hyrave vjen pavarësisht ndalimit të shitjes së modelit të tyre më të shitur, Gallardo, i cili përfundoi prodhimin nëntorin e kaluar për tu pasuar me modelin e ri, Huracán. Rritja më e madhe e të hyrave ka ardhur nga shitja e modeleve Aventador, të cilët patën rritje prej 9 për qind në shitje nga viti i kaluar (922 njësi më 2012, 1,001 njësi më 2013), që paraqet edhe rekord për modelet V12 në historinë e kompanisë.
Tregu më i madh i kompanisë mbetet Amerika, me 36 për qind të makinave Lamborghini të shitura në vend, e pasuar nga EMEA (Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika) ku u shënua rritje në 34 për qind, ndërkaq Azia mbeti e pandryshuar me 30 për qind sa kishte edhe vitin e kaluar.