Kosova për dy vite importon 300 milionë euro vetura
Prishtinë, 1 prill - Pavarësisht se raporte të ndryshme e shpallin Kosovën kampione të varfërisë dhe papunësisë në Evropë, dy vitet e fundit në vend janë importuar vetura në vlerë prej hiç më pak se 300 milionë euro.
Sipas Doganave të Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë importuar 1175 vetura të reja me vlerë prej 17.2 milionë euro, ndërsa 4.8 milionë euro janë paguar taksa për zhdoganimin e tyre.
Po ashtu vetura deri në 13 vjet të vjetra janë importuar më shumë se 20 mijë e 600 copë me vlerë prej 86.6 milionë euro, për të cilat janë paguar taksa doganore prej 41.1 milionë euro.
Vitin e kaluar nga zhdoganimi i veturave Doganat e Kosovës kanë grumbulluar rreth 46 milionë euro, shprehet për Zërin zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci.
Nga veturat e importuara deri në 13 vjet të vjetra, më së shumti të hyra janë grumbulluar në emër të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), përkatësisht 17 milionë euro, 15.8 milionë euro nga akciza dhe 8.2 milionë euro nga dogana.
Ndërsa në vitin 2011 në Kosovë ishin importuar 1351 vetura të reja, vlera e së cilave ka qenë 19.8 milionë euro, për zhdoganimin e së cilave Doganat kanë grumbulluar 5.3 milionë euro.
Gjatë vitit 2011 janë importuar më pak vetura deri në 13 vjet të vjetra, krahas vitit 2012. Sipas Doganave, në vitin 2011 janë importuar 18 mijë e 700 vetura të këtilla, apo rreth 2000 sosh më pak se në vitin 2012, vlera e së cilave ka qenë 89 milionë euro, ndërsa në emër të taksave të ndryshme janë grumbulluar 37 milionë euro.
Ndryshe, për dy vitet e fundit, vlera e veturave të importuara bashkë me taksat doganore kalon shifrën prej 300 milionë euro.
/Zëri/