Kosova në maj importon 213 milionë, eksporton 27 milionë euro
Prishtinë, 10 korrik - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, ka publikuar Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin maj 2013.
Publikimi për Tregtinë e Jashtme është i bazuar në të dhënat e Shërbimit Doganor të Kosovës dhe Korporatës Energjetike të Kosovës për energji elektrike.
Në këtë publikim është paraqitur rrjedha e eksportit dhe e importit për muajin maj 2013.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët prej 186,4 milionë euro për muajin maj 2013, krahasuar me deficitin prej 206,5 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Eksporti mbulon importin vetëm 12.8%.
Eksporti në muajin maj 2013 kishte vlerën 27,2 milionë euro, ndërsa importi 213,7 milionë euro, çka do të thotë është një rritje prej 8.5% për eksport, si dhe një rënie prej -7.7% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 54.6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 17.1% produktet minerale; 5.6% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.9% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.1% lëkura dhe artikujt e saj; 3.8% tekstili dhe artikuj e tij; 3.2% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; si dhe 3.0% produktet bimore.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 18.3% e përbëjnë produktet minerale; 13.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.6% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.5% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.5% produktet e industrisë kimike; 6.5% plastika, goma dhe artikuj prej tyre; si dhe 5.3% mjetet e transportit.
Partnerët kryesorë tregtarë sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, në raport me totalin e muajit, janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 39.1% për eksport dhe 41.1% për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 32.8% për eksport dhe 31.4% për import.
Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Itali 30.6%; në Shqipëri 15.5%; në Indi 9.1%; në Maqedoni 7.2%; në Serbi 4.1%; dhe në Mali të Zi 3.8%.
Ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia 11.2%; Italia 11.0%; Gjermania 9.9%; Turqia 9.2%; Kina 7.4%; si dhe Maqedonia 7.6%.