Kosova e përkushtuar në arritjen e objektivave rajonale dhe Evropiane
Prishtinë, 21 nëntor - Në Sarajevë, të enjten, u mbajt konferenca e Komitetit të Investimeve të Evropës Juglindore, në nivelin e Ministrave, e organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal me temën Strategjia 2020 për Evropën Juglindore- Punësimi dhe Prosperiteti nga perspektiva Evropiane. Në këtë takim Ministrat e vendeve të Evropës Juglindore miratuan Strategjinë 2020 për Evropën Juglindore dhe u zotuan se do të përkushtohen në zbatimin sa më efektiv të kësaj strategjie.
Kjo Strategji ka për qëllim stimulimin e nxitësve afatgjatë kyç për rritje ekonomike siç janë: inovacioni, aftësitë dhe integrimi i tregtisë. Kjo Strategji synon ngritjen e punësimit në rajon, përkrahjen e tregtisë në mes vendeve të rajonit, dhe ngritjen e GDP-së në rajon prej 36% në 44% të mesatares së BE-së.
Miratimi i kësaj Strategjie është një hap i rëndësishëm drejt një perspektive Evropiane për të ardhmen e vendeve të rajonit, duke rritur bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët të këtyre vendeve.
Zv.ministri i Tregtisë dhe Industrisë, z. Bernard Nikaj, theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në prioritizimin dhe zbatimin e rezultateve të Strategjisë 2020. Duke qenë të përkushtuar në implementimin e Strategjisë 2020, Kosova do të avancojë procesin e integrimit evropiane. Me datën 28 tetor 2013, Kosova ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian mbi marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Kjo marrëveshje përfaqëson marrëdhënien e parë të plotë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së dhe një periudhë të rëndësishme në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Në anën tjetër
Kosova ka thelluar bashkëpunimin me vendet rajonale, duke i përmbushur të gjitha angazhimet që vijnë nga iniciativat rajonale. tha zv.ministri Nikaj.
Më pas, Zv.ministri Nikaj theksoi se për të arritur zbatimin e Strategjisë 2020 ne duhet të sigurohemi që politikat dhe institucionet tona do të jenë të përgatitura për të mbështetur realizimin e objektivave të strategjisë që përfshijnë rritjen ekonomike për të gjitha vendet tona.
Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal (Regional Cooperation Council- RCC) u lançua zyrtarisht më 27 shkurt 2008. Roli kryesor i RCC-së është që të gjenerojë dhe koordinojë projekte zhvillimi si dhe të krijojë një klimë politike të tillë që do të mundësonte një përparim të përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror në Evropën Juglindore, prej të cilit të mund të përfitojë e gjithë popullsia në rajon.
RCC-ja përbëhet nga 45 vende, organizata dhe institucione financiare ndërkombëtare.