Kosova duhet të bejë më shumë për nxitjen e investimeve të huaja
Berlin, 16 maj - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në vazhdën e vizitës së tij zyrtare në Berlin, takoi Nikolaus Graf Lambsdorff, i dërguar i posaçëm i Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Europën Juglindore.
Kryetari Haradinaj e falënderoi Lambsdorff për ndihmën e Gjermanisë gjatë të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe kërkoi mbështetjen për liberalizimin e vizave, MSA-në si dhe për nxitjen e investimeve ekonomike gjermane në Kosovë.
Ai, po ashtu, e garantoi Lambsdorff se Kosova do të ketë qeverisje të gatshme dhe të aftë për tu ballafaquar saktë dhe drejt me të gjitha sfidat qe i ka shteti ynë.
Nga ana e tij, Graf Lambsdorff premtoi përkushtim të vazhdueshëm të Gjermanisë për të gjitha zhvillimet në rajon e, posaçërisht, në Kosovë.
Ai shtoi se Kosova duhet të bejë më shumë për nxitjen e investimeve të huaja, posaçërisht duke e luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Implementimi i marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte, po ashtu, temë e rëndësishme gjatë takimit. U konkludua nga të dy bashkëbiseduesit se implementimi i marrëveshjes është i rëndësisë kruciale.
Para nisjes nga Berlini, Haradinaj u ndal në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani dhe e falënderoi ambasadorin Xhakaliu për angazhimin dhe punën e tij me përkushtim.
Kryetari Haradinaj do të vazhdojë vizitën në Gjermani, ku do të ketë takime me institucionet e rëndesishme financiare në Frankfurt, në të cilat temë kryesore do të jetë nxitja e investimve nga ana e bizneseve të fuqishme gjermane në Kosovë.