Komuna e Mitrovicës kursen 4500 euro derivate
Mitrovicë, 19 mars - Vendimi i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për reduktimin e shpenzimeve komunale vazhdon të sjellë rezultate pozitive.
Si rrjedhojë e kësaj, në dy muajt e kaluar (janar-shkurt 2014) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nga përdorimi i automjeteve zyrtare janë kursyer 3735 litra derivate, apo rreth 4500 euro.
Në muajin janar të vitit 2013 janë shpenzuar 2794 litra derivate, ndërsa në muajin janar të këtij viti vetëm 1274 litra, me c`rast janë kursyer 1520 litra apo 1824 euro.
Ndërsa në muajin shkurt të vitit 2013 janë shpenzuar 3492 litra derivate, kurse në shkurt të këtij viti janë shpenzuar 1277 litra, kësisoj janë kursyer 2215 litra derivate, që shprehur në vlerë i bie 2658 euro.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri ka ritheksuar se ai gjatë udhëheqjes me Komunën e Mitrovicës do të ketë kujdes maksimal ndaj shfrytëzimit të parasë publike.
Ne u kemi premtuar qytetarëve kursim dhe përdorim të parasë publike në mënyrë racionale, dhe kjo po ndodhë. Vetëm për dy muaj, krahasuar me periudhën e vitit të kaluar nga derivatet janë kursyer rreth 4500 euro. Kursimi i shpenzimeve komunale do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ka thënë kryetari Bahtri.
Sa i përket shfrytëzimit të automjeteve zyrtare, kryetari Bahtiri ka sqaruar se ky kontroll në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me zvogëlimin e punëve nga zyrtarët komunal.
Me të marr udhëheqjen e komunës kam vendosur që çdo automjet zyrtarë të përdoret dhe shfrytëzohet vetëm për çështje zyrtare, dhe kjo po sjellë rezultate konkrete, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, Drejtori i Administratës në Komunën e Mitrovicës, Abdullah Bejtullahu, është shprehur i kënaqur që vendimi rreth shfrytëzimit të automjeteve zyrtare ka sjellë këto rezultate.
Mbikëqyrja e përdorimit të automjeteve zyrtare ka pasur efekt pozitivë. Për këta dy muaj kemi shpenzuar 2551 litra derivate për dallim prej vitit të kaluar (janar-shkurt 2013) ku janë shpenzuar 6286 derivate.\"
\"Nëse bëjmë llogaritje për këta dy muaj, që prej kohës kur kryetari Agim Bahtiri ka marrë udhëheqjen e komunës, kemi kursyer 3735 litra derivate, ka deklaruar Bejtullahu.