08 Janar 2025

Industria e tekstilit, në gjendje të mjerueshme

Prishtinë, 11 tetor - Drejtoresha e Shoqatës së Industrisë së Tekstilit në Kosovë, Ardita Prizreni-Rizvanolli, ka thënë se industria e tekstilit në Kosovë është në gjendje të mjerueshme për shkak se produkti kosovar nuk është aspak i mbrojtur. Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë treguar vëmendje për industrinë e tekstilit.


“Teknologjia e tekstilit është në rënie për faktin se nuk ka strategji të mirëfilltë për ta zhvilluar këtë industri. Po sikur të kishim një strategji të mirëfilltë, sikur të kishim shkolla të avancuara profesionale, të cilat do të ofronin kuadro të përgatitura për sistem të avancuar të prodhimit, teknologjia e tekstilit do të kishte marrë hov të madh pozitiv”, ka thënë Prizreni-Rizvanolli.

Sipas saj teknologjia e industrisë së tekstilit në Kosovë është në gjendje të mjerueshme për shkak se produkti kosovar nuk është aspak i mbrojtur. Në Kosovë hyjnë nga Kina dhe Turqia e vende të tjera mallra me shifra të rrejshme të çmimeve, të cilat ndikojnë të shkatërrohet shumë produkti vendor për arsye se nuk jepet vlera e saktë e çmimeve për doganim. Po sikur këto produkte të regjistroheshin me vlera të sakta, produktet vendore do të ishin shumë më të avancuara. Por, po marrim shembull, përderisa në Kosovë hyjnë një palë xhinse që prodhohen në Kinë me çmim prej dy eurosh, sigurisht se ky çmim e shkatërron prodhimin vendor.

\"Sot në dyqane, krahas çmimeve e produkteve kineze, vërehen edhe produktet tona shumë të mira, të cilat, për shkak të pranisë, pra të mallrave kineze, prodhuesit vendorë duhet t’i japin me çmime të ulëta. E në këtë konkurrencë të produkteve e të çmimeve shkatërrohet zhvillimi ekonomik i Kosovës. Të gjithë e dimë se në çfarë gjendje ishte para luftës industria e Kosovës. Kishte shumë resurse për zhvillimin e industrisë së tekstilit. Po sot? Sot fabrikat, ato që prodhuan produkte të industrisë për tregun kosovar, u mbyllën dhe u shndërruan në minipunëtori, të cilat punojnë në kushte shumë të vështira, me çmime shumë të ulëta. Në to bëhet edhe shkelja e të drejtave njerëzore, pasi punohet në kushte jashtë standardit. Madje ka punëtori që nuk kanë ndriçim të mjaftueshëm, që kanë kushte të mjerueshme. Punojnë kështu vetëm për të dalë me çmim sa më të lirë\", ka deklaruar ajo.

Sipas saj për këtë çështje kemi pasur një debat publik, në të cilin ishin të pranishëm edhe ish-ministri Bedri Hamza dhe ministrja Mimoza Kusari-Lila. Ata na kanë premtuar se kjo çështje do të verifikohet por, si duket, ka hasur në vesh të shurdhër.

\"Kemi kërkuar edhe nga dogana të verifikohen këto vlera, por kam përshtypje se kosovarët nuk e dinë sa kapacitete ka Kosova për të prodhuar tekstil. Gjithashtu, populli i Kosovës nuk është shumë i vetëdijshëm për ta kërkuar produktin kosovar, as për ta mbrojtur atë\", ka theksuar ajo.

Duke shtuar se në Kosovë hyjnë mallra me fatura të falsifikuara, me çmime jo të vërteta. Duke hyrë kështu, ato i dëmtojnë çmimet e produkteve vendore. E duke marrë parasysh këtë, nuk mund të jemi konkurrentë krahas prodhuesve të tjerë, kur në Kosovë hyjnë xhinse me çmim prej dy eurosh, kurse xhinset në Kosovë shitën tetë euro në dyqanet tona.
 
\"Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ende paguan taksa për repromateriale dhe teknologji. Edhe Qeveria e Kosovës duhet të veprojë si shtetet në Ballkan, të cilat e kanë të hequr taksën doganore për repromaterial dhe teknologji, pasi është taksë që e rrit çmimin e produktit final\", ka pohuar ajo.

Ajo ka deklaruar se në Kosovë kryesisht importohen mallra nga Kina, nga Turqia dhe Pakistani. Prodhuesit kosovarë nuk kanë kapacitete të mjaftueshëm për ta mbuluar tregun vendor 100 për qind. Prodhuesi ynë vendor mbulon vetëm rreth 10 për qind të tregut.

\"Në Kosovë vërehet edhe mungesa e përkrahjes së produktit vendor. Po sikur të kishim vetëdije më të lartë për ta shfrytëzuar prodhimin vendor ajo do të ndikonte në rritjen e prodhimit dhe numrin e punëtorëve. Kurse sa i përket eksportit, Fabrika “Kosova Teks” është e vetmja që eksporton në mënyrë të rregullt, por sasi jo shumë të mëdha\", ka pohuar ajo.

Ajo ka deklaruar se në bazë të një hulumtimi që kemi bërë si shoqatë, ka dalë se janë të përfshira 50 për qind femra. E këtu është një problem, se në Kosovë nuk kemi ndonjë shkollë profesionale të këtij lëmi. Teknologjia e tekstilit është në rënie për faktin se nuk ka strategji të mirëfilltë për ta zhvilluar këtë industri. Po sikur të kishim një strategji të mirëfilltë, po sikur të kishim shkolla të avancuara profesionale, të cilat do të ofronin kuadro të përgatitura për sistem të avancuar të prodhimit, teknologjia e tekstilit do të merrte hov të madh pozitiv.


\"Komuna e Gjakovës ka resurse për zhvillimin e kësaj teknologjie, mirëpo gjatë kësaj fushate zgjedhore nuk e pashë asnjë premtim nga përfaqësuesit e partive politike për t’ia dhënë përkrahjen industrisë së tekstilit. Do të ishte mirë që në programin e partive të jetë i përfshirë edhe zhvillimi i kësaj industrie\", ka theksuar ajo.

(Albulena S. Mavraj)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)