09 Janar 2025

Importi 283 milionë, eksporti 46 milionë euro

Shkruar nga Albulena S. Mavraj

Prishtinë, 12 mars - Të hyrat doganore gjatë periudhës janar-shkurt të këtij viti kapin vlerën e 106 milionë eurove. Gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar të hyrat doganore ishin 94 milionë euro.  

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se vlera e importit për muajt janar-shkurt kap shifrën e 283 milionë eurove, ndërsa ajo e eksportit është dukshëm më e ulët.

“Eksporti për muajt janar dhe shkurt të vitit 2014 është 46 milionë euro, ndërkaq importi për këtë periudhë është 283 milionë. Kosova më së shumti eksporton mallra në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Gjermani, kurse vendet që importojnë mallra më së shumti në Kosove janë Shqipëria, Serbia, Italia, Maqedonia, Sllovenia dhe Turqia”, ka thënë Stavileci.

Ndërsa sa iu përket llojeve të mallrave të eksportuar dhe importuar, Stavileci ka thënë se nga Kosova kryesisht eksportohen mallra si rërë, çimento, vajra, minerale, giza dhe çelik.

Shahini kërkon të studiohen të hyrat doganore

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se rritja e dukshme e të hyrave doganore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritje që kërkon studim të saktë se si ka ardhur kjo rritje kaq e madhe.

“Ne nuk mund të japim saktë vlerësime, andaj ne kemi thirrur një mbledhje të Këshillit Konsultativ të Doganës dhe Bizneseve për ta shqyrtuar këtë temë, për ta shikuar nëse është rritur efikasiteti i kontrollit doganor apo është rritur konsumi. Është e natyrshme të rritet buxheti dhe të rriten të hyrat, e kjo do të dëshiroja që kështu të jetë. Por, nëse dogana gjatë zhdoganimit i ka penalizuar bizneset, duke ua rritur bazat e tyre doganore shpesh të pabaza dhe pa argument, nuk do të dëshiroja të jetë ashtu”, ka thënë Shahini, duke shtuar se nuk e di sa ankesa janë bërë brenda kësaj periudhe dymujore nga bizneset, të cilat kanë zhdoganuar mallra në pikat e ndryshme kufitare.

“Vetëm atëherë mund të dihet se si dhe në çfarë forme është mbushur ky buxhet dhe a është mbushur drejt pa ankesa të bizneseve. Ne kemi informata jo të konfirmuara se shumë biznese kanë ngritur ankesa kundër Doganës për shkak të vlerësimit jokorrekt të importit të mallrave gjatë këtyre dy muajve. Ne do ta shikojmë këtë dhe për këtë arsye ne kemi thirrur dhe mbledhje të përbashkët javën e ardhshme për ta diskutuar, përpos rendit tjetër, edhe këtë pikë”, ka theksuar ai.

Shahini ka deklaruar se debalancat tregtare negative nga viti në vit po e përcjellin Kosovën.

“Kjo tregon se ne si konsumatorë ende jemi të orientuar në konsum të prodhimeve të huaja, kurse më pak në konsum të prodhimtarisë vendore, andaj ky është lajm i keq për eksportin e parave të gatshme. Kosova këtë shumë prej 283 milionë eurosh për import të produkteve për konsum, po sikur t’i dedikonte për investime në prodhim dhe teknologji, do të ishte lajm i mirë”, është shprehur Shahini.

Sipas tij, duhet të ndryshojmë politikat tregtare në mënyrë që të ndryshojë struktura e importit të produkteve për konsum të përditshëm.

Skënderi: Reforma ka rritur të hyrat doganore

Profesori në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Nagip Skënderi, ka deklaruar se arkëtimi i të hyrave doganore për muajt janar dhe shkurt të këtij viti në shumën prej 106 milionë eurosh apo 12,6 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar është një shumë rekordi që deri tani nuk është arritur në Doganat e Kosovës.

“Nëse vazhdohet ky trend, atëherë shuma prej 930 milionë eurosh do të jetë një sinjal i mirë se të hyrat doganore do të jenë një shtyllë e fuqishme për buxhetin e vendit dhe realizimin e objektivave makroekonomike shtetërore”, ka deklaruar Skënderi.

Ndërkaq sa iu përket arsyeve të rritjes së të hyrave, Skënderi ka theksuar se ato janë të ndryshme por, sipas tij, faktor i drejtpërdrejtë i kësaj rritjeje është jo vetëm performanca pozitive e doganave dhe stafit menaxhues i saj, por edhe reforma e aplikuar në regjionalizimin e këtij institucioni.

“Kjo dëshmon se Doganat e Kosovës tashmë janë transformuar në një organizatë moderne, që është e aftë të përballet me sfida në çdo moment dhe situatë të re të krijuar në kufijtë shtetërorë të vendit tonë, posaçërisht me luftimin e kontrabandës dhe rritjen e kontrolleve doganore. Por, kemi situatë të vetëdijesimit të bizneseve kosovare, që me rastin e futjes së mallrave dhe importeve të tjera ata paguajnë taksat e përcaktuara doganore, që ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin e të hyrave doganore”, ka deklaruar Skënderi.

E sa i përket debalancit tregtar në mes të eksportit dhe importit, Skënderi ka thënë se mospërputhja midis eksporteve dhe importeve në vendin tonë qëndron në faktin se ekonomia e Kosovës është ende e varur nga importet e të gjitha mallrave të gatshme, repromaterialit, pajisjeve, lëndës së parë, makinave.

Sipas tij, shumë pak ka ekonomi eksportuese, që është dhe mund të jetë konkurrente në tregjet ndërkombëtare të mallrave dhe shërbimeve.

Ai ka deklaruar se për përmirësimin e kësaj situate duhen bërë përmirësime të politikave ekonomike.

“Për përmirësimin e kësaj klime eksportues mendoj se duhet bërë ende përmirësime të ndryshime të politikave ekonomike, që duhet të shkojnë drejt stimuluesve biznesore, edhe pse ky nuk është i vetmi shkak, sepse ekonomia e vendit tonë është e re, që nuk mund të krijojë për veten një ‘vend solid’ në këto tregje, nga papjekuria e saj dhe moseksperienca e duhur ekonomike ndërkombëtare”, është shprehur Skënderi.



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)