Importet e naftës së BE-së nga Rusia shënuan 90 për qind rënie
Bruksel, 21 qershor - Agjencia Evropiane e Statistikave (Eurostat) ka njoftuar se importet e naftës së Bashkimit Evropian (BE) nga Rusia shënuan 90 për qind rënie në mars krahasuar me shifrën mesatare mujore të viteve 2019-2022 për shkak të sanksioneve nga lufta e Moskës në Ukrainë.
Sipas të dhënave të Eurostat, importet totale të naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës nga Rusia në vendet anëtare të BE-së ranë në 1.4 milionë tonë në mars krahasuar me 15.2 milionë tonë mesatarisht në 3 vitet e mëparshme.
Ndalimi i importeve të naftës së papërpunuar nga rrugët detare ka hyrë në fuqi më 5 dhjetor të vitit 2022 ndërsa ndalimi i produkteve të naftës ka hyrë në fuqi më 5 shkurt të vitit 2023.
Dërgesat e naftës së papërpunuar të Rusisë në BE ranë nga 12.4 milionë tonë në janar të vitit 2022, para fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, në 3.7 milionë tonë në dhjetor të vitit 2022.
Importet e naftës bruto të BE-së ranë në 1.17 milionë tonë në mars.
Ndërkohë, importet e derivateve të naftës ranë nga 3.3 milionë tonë në janar të vitit 2022 në 700 mijë tonë në shkurt të këtij viti dhe në 300 mijë tonë në mars.