I ofron mito zyrtarit policor pasi u kap duke kontrabanduar kafshë
Prishtinë, 10 shtator - Sot rreth orës 11:00, derisa njësiti i Trafikut në kuadër të Autostradës ka qenë në një pikë kontrolli në kilometrin e 27 të kësaj autostrade, ka ndaluar një kamion të cilin e drejtonte ngasësi M. M. nga rajoni i Mitrovicës.
Menjëherë pas ndaljes së kamionit ngasësit të automjetit i janë kërkuar dokumentet identifikuese dhe të automjetit, mirëpo i njëjti në vend të dokumenteve të kërkuara u kishte ofruar dhjetë (10) euro zyrtarëve policorë duke u sugjeruar se mund ta pini nga një kafe me paratë që kishte tentuar tua ofronte policisë.
Zyrtarët policorë duke i tërhequr vërejtjen ngasësit kishin kërkuar prapë dokumentet përkatëse nga ngasësi, mirëpo veprimet e tij kanë qenë të njëjta, porse kësaj radhe së bashku me dokumentet e kërkuara ai prapë ka tentuar tu ofronte shumën prej dhjetë eurosh zyrtarëve policorë.
Zyrtarët policorë të trafikut pas këtij veprimi kanë marrë të gjitha masat e duhura, kështu ata fillimisht kanë njoftuar stacionin policor në Prizren.
Merret vesh se i dyshuari i cili kishte tentuar tu ofronte mito zyrtarëve policorë në automjetin-kamionin e tij kishte të ngarkuar 12 kafshë (krerë lopë) për therje, prej të cilave, pas konstatimit të inspektorëve të AVUK-it prejardhja e dy kafshëve nuk dihej, ndërsa 10 të tjera ishin me dokumentacion të rregullt.
Për rastin në fjalë është informuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt.