Hoxhaj fton investitorët gjermanë të investojnë në Kosovë
Prishtinë, 9 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur një delegacion të Odës Ekonomike Gjermane për Evropën Juglindore, i kryesuar nga drejtori ekzekutiv Rainer Lindner dhe drejtori për Ballkan në Ministrinë për Ekonomi të Gjermanisë, Helge Tolksdorf.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj i ka njoftuar zyrtarët gjermanë për progresin e madh që ka arritur Kosova në të gjitha fushat e fuqizimit të shtetësisë, përfshirë zhvillimin e hovshëm ekonomik të vendit pas shpalljes së pavarësisë.
Hoxhaj vlerësoi lartë përkrahjen e madhe që ka dhënë Gjermania për Kosovën në të gjitha fushat, me theks të veçantë për ndihmën e jashtëzakonshme ekonomike që Gjermania ka dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj, në dekadat e fundit.
Duke folur për bashkëpunimin e mëtutjeshëm bilateral, Hoxhaj kërkoi fuqizimin e mëtutjeshëm të investimeve gjermane në Kosovë.
Republika e Kosovës ka ambient shumë të përshtatshëm dhe potencial të madh për investime në energji, prodhim, e fusha të tjera të industrisë, tha ndër të tjera, Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu theksoi interesimin e institucioneve për organizimin e forumeve ekonomike për tërheqje të investimeve nëpër kryeqytetet e landeve gjermane.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane për Evropën Juglindore, Rainer Lindner, vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë në fuqizimin e ekonomisë.
Lindner po ashtu theksoi angazhimin serioz të Odës Ekonomike Gjermane për Evropën Juglindore në mbështetje të investimeve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.