08 Janar 2025

Hiqen barrierat tregtare dhe lëvizjes së lirë mes Kosovës e Maqedonisë

Bllacë, 15 shtator - Sot në mesnatë u hoqën barrierat tregtare dhe të lëvizjes së lirë midis Kosovës dhe Maqedonisë.

Qeveria e Maqedonisë dhe e Kosovës kanë miratuar vendimet për heqjen e këtyre barrierave dhe embargove, që për një javë pamundësuan eksport – importet e mallrave midis dy vendeve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Valon Saraçini në mesnatë vizitoi pikat kufitare Bllacë dhe Jazhincë, për t`u vërtetuar drejtpërdrejt lidhur me normalizimin e situatës dhe lëvizjen e lirë për mallrat dhe qytetarët midis dyja vendeve.

Gjithashtu në pikat kufitare të Kosovës me Maqedoninë ishte edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila.

“Nga mesnata sonte, shfuqizohet vendimi për importin e mallrave nga Maqedonia si dhe hiqet taksa për individë dhe mjete transporti nga ana e Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës.

Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarrë të gjitha masat që deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi të largojë pengesat pas vendkalimit kufitar me Kosovën, sidomos bllokadën e vendosur nga transportuesit maqedonas MAKAMTRANS.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha deklaroi për INA se nga mesnata do të normalizohet shkëmbimi tregtar dhe lëvizja e lirë duke nisur nga pika zero.

“Kjo u arrit falë angazhimit tonë maksimal për të rikthyer situatën në normalitet. Masat e vendosura nga Qeveria e Maqedonisë për ndalesën për importet ishte për të gjitha shtetet dhe nuk kishte të bëjë me Kosovën, por kjo më pas reprodukoi me krizën e shkaktuar, e cila më në fund u finalizua me një zgjidhje të pranueshme dhe përkushtim nga të dyja palët”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA zëdhënësi Hoxha.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)