HIB Petrol: Politika të përmbahet nga presioni mbi gjyqësinë
Prishtinë, 19 gusht - HIB Petrol lut prokurorinë që ta kryejë punën në mënyrë profesionale, sa më shpejtë dhe pa u ndikuar nga presioni i kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, në mënyrë që edhe të vihet në vend dinjiteti dhe të rikonfirmohet imazhi i mirë i kompanisë, i lënduar nga akuzat e pabaza.
Duam tia rikujtojmë opinionit publik se HIB Petrol ka ushtruar një padi ndaj Komunës së Prishtinës pikërisht për dëmtim të imazhit dhe pret që e njëjta po ashtu të procedohet nga organet e drejtësisë.
Mirëpo, si dhe deri më tash, e tëra që kompania jonë do të ofrojë është bashkëpunimi me institucionet e shtetit dhe asnjëherë ushtrimi i ndikimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në to.
Besojmë thellësisht se në fund do të provohet e drejta në anën tonë.
Po ashtu, e lusim kryetarin Ahmeti, të mos paragjykojë fajësinë tonë duke na quajtur të pasur ose të fortë, por duke harruar se ai është i forti në këtë mes, meqë është i pari i kryeqytetit dhe njeriu i dytë në partinë e tretë më të madhe në Kosovë.
Ne mbesim me shpresë së gjyqësori i Kosovës do tia dalë ta ruajë pavarësinë deri në fund dhe asnjëherë të mos bie pre e presioneve ose shantazheve të politikës.