HIB: Kontrollimi dhe pastrimi i rezervuarëve obligim ligjor
Prishtinë, 8 shkurt - Me qëllim të rifillimit sa më të shpejtë të procesit mësimor në shkollat e Prishtinës dhe duke pasur gjithnjë në konsideratë mbi të gjitha shëndetin e fëmijëve, HIB Petrol inkurajon inspektimin dhe pastrimin e menjëhershëm të rezervuarëve të derivateve të naftës nëpër institucionet shkollore.
HIB Petrol dëshiron tia bëjë të qartë opinionit publik se gjendja e këtyre rezervuarëve ka qenë një shqetësim i përhershëm i kompanisë, i cili me kohë është ngritur edhe zyrtarisht te organet gjegjëse\", thuhet në komunikatën e HIB Petrol.
Për këtë arsye, HIB Petrol i ishte drejtuar para katër vjetësh, saktësisht me datën 11 janar 2010, me një shkresë zyrtare Komunës së Prishtinës, ku ndër të tjera thuhet:
Gjatë furnizimit me derivate nëpër shkolla (HIB Petrol) ka vërejtur dhe është njoftuar nga mirëmbajtësit e shkollave se rezervuaret e të gjitha shkollave nuk janë pastruar asnjëherë, për këtë arsye, duke u bazuar në kontratën për furnizim, ju njoftojmë se Komuna-organet gjegjëse duhet të pastrojnë rezervuarët për heqjen e fundrrinave të mbledhura ndër vite. Furnizimi nga ana jonë është i pandërprerë, por shqetësimi jonë ka të bëjë me mirëmbajtjen e rezervuarëve\", ka njoftuar HIB.
Për mirëmbajtjen dhe kontrollimin e rezervuarëve ekziston edhe obligim ligjor, që nga data 15 tetor 2007, bazuar në UDHËZIMIN ADMINISTRATIV NR. 2007/18 PËR KËRKESAT TEKNIKE PËR NDËRTIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PIKAVE PËR FURNIZIMIN E AUTOMJETEVE ME KARBURANTE, të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ku te pika XIV. PASTRIMI DHE MIRËMBAJTJA, thuhet:
Neni 144: Të gjithë rezervarët duhet të mirëmbahen-kontrollohen dhe pastrohen në intervale të rregullta kohe siç jepet më poshtë duke shënuar në dokumentacionin e pajisjes datën e kontrollit-pastrimit të fundit për rezervarin.
a) rezervarët për depozitim të mazutit (solarit) dhe vajrave duhet të kontrollohen pastrohen çdo 6 muaj,
b) rezervarët për depozitim të karburantit dizel duhet të kontrollohen-pastrohen çdo 1 vjet,
c) rezervarët për depozitim të benzinës duhet të kontrollohen-pastrohen çdo 1 vjet,
d) rezervarët për depozitim të gazit të lëngëzuar të naftës duhet të kontrollohen-pastrohen çdo 1 vjet.
Neni 145:
145.1: Çdo 5 vjet duhet të bëhet inspektimi i jashtëm i rezervarit. Në mënyrë plotësuese duhet të bëhet edhe matja e trashësisë së mureve të rezervarit me pajisje ultra tinguj, pastrimi dhe lyrja. Në qoftë se duhet të kryhet gjithashtu kontrolli i valvulës ose i valvuleve të sigurisë.
145.2 Çdo 10 vite përsëritet kontrolli inspektues pesëvjeçar, përveç kësaj behet inspektimi i plotë i brendshëm për korezionin dhe dëmtimet e mundshme në rezervarë. Në rezervarë pa bakporta hyrje në vend të kontrollit të brendshëm bëhet matja e trashësisë së paretit ose prova hidraulike.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, HIB Petrol edhe një herë kërkon nga institucionet përgjegjëse të arsimit në nivel komunal dhe atë Republikan të ndërmarrin hapat adekuatë, në mënyrë që të obligojnë institucioneve shkollore ta përmbushin pjesën e vet ligjore, me qëllim të mirëmbajtjes së rezervuarëve, sipas udhëzimit administrativ Nr. 2007/18.
Po ashtu, këtu duam të nënvizojmë se HIB Petrol ka rianalizuar gjendjen e përgjithshme brenda kompanisë, duke vërtetuar edhe një herë se nafta e fasilituar prej nesh i ka kaluar me sukses të gjitha procedurat verifikuese të cilësisë, ku përfshihen analiza në vendin e furnizimit, ajo e kalimit nëpër pikën doganore e deri te momenti i dorëzimit të produktit te pala e tretë, në këtë rast institucionet shkollore.
HIB Petrol uron që kjo situatë e krijuar të shërbejë si një leksion për thirrje në përgjegjësi të gjitha institucionet e përfshira, në mënyrë që të respektohen standardet e përgjithshme e kërkuara në këtë fushë, në të mirë të shoqërisë në përgjithësi, si dhe ruajtje të imazhit të kompanisë, si njëra ndër kontribuueset më të mëdha në buxhetin e Republikës së Kosovës\", është thënë në komunikatën e HIB Petrol.