Hapet qendra tregtare e grave
Qëllimi kryesor i kësaj qendre ka qenë dhe është forcimi i ndërmarrësisë tek gratë në vendin tonë dhe zgjerimi i mundësive ekonomike për bizneset e grave.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila gjatë ceremonisë së Hapjes së Qendrës Tregtare të Grave në Prishtinë ka thënë se është privilegj i saj i jashtëzakonshëm që si femër dhe si Zv.Kryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës të marrë pjesë në hapjen e kësaj Qendre Tregtare të Grave.
Në veçanti, Qendra Tregtare e Grave është projektuar në mënyrë që ti mbështesë gratë ndërmarrëse nga e gjithë Kosova që të kenë qasje në një treg më të madh dhe ti ekspozojnë produktet e tyre në një kryeqendër siç është Prishtina, përderisa në të njëjtën kohë të kenë një qendër të përhershme shitjeje, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se të gjithë ata që dëshirojnë të blejnë produkte vendore të kualitetit të lartë të prodhuara lokalisht me shumë zell nga gratë, prej tani e dinë adresën e saktë se ku mund ta bëjnë ketë.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se e gëzon shumë fakti se të gjitha produktet që do të shiten në Qendrën Tregtare të Grave do të jenë produkte vendore e lokale, të punuara nga gratë e për më shumë do të ketë edhe prodhime ushqimore natyrale po ashtu të prodhuara nga gratë nga e gjithë Kosova.
Nuk ka dyshim se projekte të tilla si kjo qendër rrisin dhe avancojnë potencialin ekonomik të femrave në Kosovë dhe të njëjtën kohë inkurajojnë gratë ndërmarrëse ti vëmë në pah aftësinë e tyre menaxhuese dhe profesionale dhe ta përdorin këtë qendër për ekspozimin dhe shitjen e produkteve të tyre, forcimin e tyre ekonomik e po ashtu edhe shoqëror, ka thënë Kusari-Lila.
Hamide Latifi, kryetare e OJQ-së, Gratë në Biznes, i ka ftuar të gjithë ata që e duan zhvillimin ekonomik, ta shohin gruan si faktor për investime, duke shprehur bindjen se nuk do të zhgënjehen.
Kjo Qendër Tregtare e Grave padyshim se promovon gratë në biznes dhe në lidership dhe shërben në krijimin e aleancave strategjike dhe të qëndrueshme në mes të grave, tha Latifi.
Hapja e kësaj qendre është vetëm një pikënisje drejt zhvillimit dhe rritjes së potencialit ekonomik të grave në Kosovë. Dëshiroj të theksoj se në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me organiztën e grave Giving Women, do të zhvillojmë më tutje këtë projekt, dhe do të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm të tregut dhe bizneseve të grave, ka thënë znj. Latifi, duke shtuar se gratë meritojnë më shumë vëmendje dhe respekt dhe janë të vlefshme të investohet në to.
Ambasador i Holandës në Prishtinë, Robert Eduard Bosch ka theksuar se Holanda ka qenë e angazhuar për një kohë të gjatë për zhvillimin e Kosovës dhe për fuqizimin e grave afariste dhe përfaqësimin e tyre në ekonomi.
Gratë janë punëtore të mëdha dhe janë kreative në punën që bëjnë. Ne jemi në favor të krijimit të shanseve për gratë në përgjithësi. Sot ne po flasim për gratë në biznes të cilat duhet të marrin fatin e tyre në dorë dhe të bëjnë biznes. Për këtë ne bashkëfinancuam këtë projekt, ka thënë Bosch.
Menaxherja e programit në Ambasadën e Finlandës, Jehona Ademaj-Sejdiu, ka thënë se projekti ka të bëjë me zhvillimin e mundësive të tregut për gratë ndërmarrëse në prodhime dhe shërbime.
Mbështetja e grave afariste të Kosovës nuk do t'i ndihmojë vetëm ato personalisht, apo qëndrueshmërinë e bizneseve të tyre, por në përgjithësi do të rezultojë në ekonominë e Kosovës. I inkurajoj edhe donatorët e tjerë që t'i kanalizojnë mjetet e tyre në projekte konkrete, projekte që gjenerojnë të ardhura, që zbusin papunësinë dhe ndihmojnë në lulëzimin e ekonomisë së Kosovës, ka thënë Ademaj-Sejdiu.
Përfaqësuesja e grave që do të përfitojë nga Qendra Tregtare e Grave, Fatime Limaj, ka thënë se Organizata Gratë në Biznes i ka ndihmuar ato në vetëdijesim dhe zhvillim, sidomos gratë që vijnë nga zonat rurale. Gratë në biznes na kanë përkrahur si nga ana morale ashtu dhe nga ana financiare për të rritur kapacitetet tona, ka theksuar Limaj.
Majlinda Mazelliu, zëvendësdrejtoreshë e Gratë në Biznes, ka thënë se ndërtimi i kësaj ideje ka kërkuar vendosmëri dhe punë të madhe ne, nuk e kemi ditur që ajo do të bëhej realitet kaq shpejt.