Hapet panairi ndërkombëtar EXPOKOS
Prishtinë, 15 maj - Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë është hapur panairi ndërkombëtar i ndërtimtarisë, teknikës, energjetikës, mobilierisë dhe paluajtshmërisë EXPOKOS 2013, i cili panair organizohet çdo vit nga CEO - Congress & Event Organization.
Në këtë panair po i ekspozojnë prodhimet e tyre qindra kompani nga rreth njëzet shtete të ndryshme të Evropës.
Bekim Xhafa, president i Congress & Event Organization, tha se panairi EXPOKOS është ngjarja më e rëndësishme jo vetëm në Kosovë por edhe në shtetet përreth dhe ka arritur të profilizohet për promovimin e këtyre sektorëve.
Tash jemi edhe anëtar të Unionit Ndërkombëtar të Panaireve (UFI) apo në asociacionin më të rëndësishëm botëror të industrisë së panaireve dhe kjo tregon se niveli i cilësisë së panaireve është i ngjashëm me atë të niveleve evropiane e botërore, tha Bekim Xhafa.
Ai shtoi se UFI, ka bërë certifikimin e panairit EXPOKOS si ngjarje të aprovuar, cilësia organizative e së cilës është në linjë me rregullat bashkëkohore të aplikuara në sferën e industrisë ndërkombëtare të panaireve tregtare.
Sipas tij tradita po vazhdon tash dymbëdhjetë vjet ku ka pjesëmarrje ndërkombëtare në panair nga Greqia, Kroacia, Çekia, Bullgaria, Gjermania e vende tjera.
Bekim Xhafa, tregoi se në shtator disa biznese nga Kosova do të marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut, kjo në bazë të një marrëveshje të bashkëpunimit të nënshkruar më parë.
Po punojmë që të përfaqësojmë Kosovën sa më mirë. Në lidhje me këtë projekt jemi duke punuar me institucionet dhe komunitetin e biznesit në mënyrë që pjesëmarrja e Kosovës të jetë sa më e kompletuar dhe të rezultojë me suksese konkrete, në të mirë të rritjes së prezencës së produkteve kosovare në një treg të afërt gjeografikisht dhe pjesë e BE-së, siç është Greqia tha presidenti i CEO-së.
Zoran Vodopija, ambasador i Kroacisë në Kosovë, tha se rezultatet e panaireve janë shumë të rëndësishme për kompanitë në Kosovë.
Jam i lumtur të ju them se kemi pasur një rritje ekonomike në Kosovë dhe Kroaci gjatë vitit të kaluar, prej 10 milion eurosh në eksportin e Kroacisë dhe fatkeqësisht vetëm 4 milion në eksportin e Kosovës në Kroaci, por ne po përpiqemi që të japim maksimumin për të arritur nja bilanc më të mirë lidhur me këtë, tha ambasadori kroat.
Edhe përfaqësuesi i Zyrës së Greqisë në Kosovë, Christos Farmakis, tha se numri i kompanive greke pjesëmarrëse në EXPOKOS është i madh dhe ky fakt tregon për nja bashkëpunim ekonomik në mes të dyja vendeve.
Ai tha se ky panair ka të bëjë me njërin ndër sektorët më dinamik që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik.
Është e njohur se ekonomia e Kosovës ka një zhvillim të qëndrueshëm vitet e fundit dhe kanë ndodhur gjëra të rëndësishme. Greqia gjithmonë ka mbështetur perspektivën evropiane të Kosovës dhe jemi të interesuar për stabilitet dhe prosperitet të rajonit. Ka interesim të madh për bashkëpunim ndërmjet bizneseve të dy vendeve shtoi Farmakis.
Edhe përfaqësues të ambasadave nga Gjermania, Çekia e Bullgaria, Matthias Kiesler, Václav Kuelka dhe Lyudmil Kotetzov kanë vlerësuar lartë rezultatet e panairit, duke shpresuar në rritjen e bashkëpunimeve ndërmjet bizneseve të vendeve të tyre dhe Kosovës.
Konfirmimin për të mbajtur një fjalim rasti në hapjen e panairit e kishte bërë edhe ministrja Mimoza Kusari Lila, e cila në momentet e fundit e kishte anuluar pjesëmarrjen për shkak të disa angazhimeve të tjera.
Panairi po mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe do të jetë i hapur nga data 15 deri më 18 maj. Hyrja për të gjithë vizitorët do të jetë falas