05 Janar 2025

Hapet panairi i përgjithshëm “Prishtina 2013”

Prishtinë, 8 maj - Rreth 120 kompani nga Kosova, rajoni dhe Evropa, po marrin pjesë në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2013” i cili u hap sot.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu, ka pohuar se pjesëmarrja e kompanive dhe nga Evropa, dëshmon që Kosova është në rrugën Evropiane. Gërxhaliu, po ashtu, ka theksuar se vula e fitoreve politike, është zhvillimi ekonomik.

“OEK si parakusht e ka vërtetë që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik sa më tepër që është e mundur. Dua të besoj se vula e fitoreve politike, është zhvillimi ekonomik. Kur bisedohet për zhvillimin ekonomik, sektori privat është bartësi kyç i kësaj beteje. Komuniteti i biznesit vendor mund, di dhe do t’ia dal, të jetë shtytës i këtyre proceseve dhe me një mbështetje dhe partneritet institucional, do t’ia dalim në këtë drejtim”, tha Gërxhaliu.

Ai vlerësoi se njohja e gjerë diplomatike e Kosovës dhe inkuadrimi i ekonomisë së saj në rrjedhat bashkëkohore ekonomike e përbëjnë dy anë të së njëjtës medalje: të qenit anëtar i barabartë i komunitetit ndërkombëtar.

“Ne në Odë Ekonomike jemi të ndërgjegjshëm se duhet ende shumë mund e punë në reformimin e ekonomisë sonë dhe zhvillimin e saj të hovshëm për tu barazuar me rajonin dhe për tu bashkërenditur me trendët kryesore ekonomike botërore.

Panairi që sot po e hapim dëshmon se Kosova mund të bëjë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, sepse jemi në gjendje që një ngjarje të madhe ekonomike ta organizojmë sipas standardeve ndërkombëtare”.

Gerxhaliu tha se Oda ekonomike synon ndërkombëtarizimin e ekonomisë së Kosovës në të njëjtën mënyrë se si diplomacia e Kosovës punon për njohje të reja ndërkombëtare.

“Ka kaluar koha e izolacionizmit ekonomik. Ekonomia e një vendi shumë shpesh mund të jetë ambasadori më i mirë i tij, ndërsa suksesi diplomatik i një vendi i ri mund të varët në masë të madhe nga aftësia e tij që të gjej vendin e vetë në tregun botëror.\"

\"Kjo është arsyeja përse Oda ekonomike i inkurajon kompanitë dhe të gjitha bizneset kosovare që të provohen edhe në tregun ndërkombëtar, të krijojnë kontakte afariste, sepse kjo ndihmon në sjelljen e investitorëve, teknologjive dhe eksperiencës ndërkombëtare në ekonominë tone”, tha kreu i OEK-ut.

Ndërsa Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, ka pohuar se angazhimet e Qeverisë për përmirësimin e ambientit të biznesit, po japin rezultate.

Megjithatë, ajo ka thënë se duhet të vazhdohet dhe më tutje për eliminimin e pengesave, të cilat u dalin kompanive dhe bizneseve në rrugën drejtë zhvillimit dhe prosperimit.

Kusari, po ashtu, ka theksuar se mallrat nga Kosova për në vendet tjera, duhet të kenë të njëjtin trajtim ashtu siç e kanë mallrat e vendeve fqinje në Kosovë. Kusari duke u uruar mirëseardhje në Panair, Kompanive nga Serbia dhe Bosnja, ka bërë apel tek qeveritë e këtyre vendeve, që dhe mallrat nga Kosova të kenë të njëjtin trajtim në panairet atje.

Edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë se ky është argumenti më i mirë që ekonomia e Kosovës, po e rrit konkurrueshmërinë në vend dhe rajon.

“I uroj gjithë pjesëmarrësve aktivitet të mirë, nënshkrime të kontratave dhe prezantime sa më të suksesshme të produkteve. Kjo është argumenti më i mirë që ekonomia e Kosovës po rrit konkurrueshmërinë e vet në vend dhe rajon”, ka thënë Beqaj.

Në panair ishin të pranishme dhe kompani nga Shqipëria, të cilat e synojnë dhe tregun kosovar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)