Greqia kërkon investime nga Kina
Athinë, 17 maj - Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, ndodhet në Kinë, për të kërkuar marrëveshje për investime dhe tregti.
Ai ka takuar kryeministrin kinez, Li Keqian, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje në fushën e anijeve dhe të telekomunikacionit.
Li ka shfaqur shpresën se dy vendet mund të dyfishojnë tregtinë e dyanshme deri në vitin 2015, e cila aktualisht kap vlerën e 3.38 miliardë dollarëve.
Samaras ndodhet në Pekin me dhjetëra biznesmenë dhe disa ministra.
Greqia po lufton me krizë të tmerrshme të borxheve.
Po ashtu Samaras mbajti një fjalim të mërkurën në Akademinë e Shkencave Shoqërore të Kinës. Ndër të tjera, ai shpresoi se Kina do të angazhohet më tej në procesin e rimëkëmbjes së Greqisë.
Samaras u shpreh se Greqia nuk e harron përkrahjen që Kina i dha gjatë 3 vjetëve më të vështira. Ai bëri thirrje që Greqia dhe Kina të forcojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke shtuar se ndërmarrjet kineze janë të mirëpritura të investojnë në Greqi.
Vitin tjetër, shteti helen do të marrë kryesimin e BE-së.
\"Greqia është e gatshme të bëhet një urë e rëndësishme e marrëdhënieve Kino-Europiane për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve,\" u shpreh Samaras.
Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe qeveria shpreson që kompanitë e saj të investojnë rreth 500 miliardë dollarë jashtë vendit në vitet e ardhshme.