Fatmire Maliqi gruaja më e suksesshme ndërmarrëse
Çmimi kryesor Gruaja më e suksesshme afariste iu dha Fatmire Maliqit, çmimi për femrën më të suksesshme në sferën e prodhimit, Sevdije Hajrullahut, çmimi për femrën më të suksesshme në sferën e shërbimeve, Zamire Hysenit Durakut, çmimi për femrën më të suksesshme në sferën e tregtisë, Vjollca Birinxhikut dhe çmimi për femrën më kreative në biznes, iu dha Blerina Rugovës.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve vlerësoi hapjen e projektit Ditët e Biznesit të Vogël 2014 dhe në të njëjtën kohë fillimin e një aktiviteti të tillë, duke ndarë shpërblimet për gratë më të suksesshme në biznes për këtë vit.
Kjo është hera e dytë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së bashku me Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës G7 po organizojnë një aktivitet të tillë i cili ka për qëllim parësor që ta promovojë ndërmarrësinë dhe të ngritin iniciativën e grave në fillimin e bizneseve, ka thënë ministri Nikaj, duke shtuar se nëse shikohen statistikat mund të shihet që në vitin 2011 vetëm 11 për qind e bizneseve në Kosovë kanë qenë në pronësi të grave, përderisa në tre vitet e fundit ka një rritje të konsiderueshme të bizneseve të grave.
Ministri Nikaj theksoi se kjo tregon se disa prej iniciativave të marra bashkërisht nga të gjitha palët e interesit kanë dhënë rezultatet e tyre të para.
Ne në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë, nën udhëheqjen e një gruaje tjetër të fuqishme siç është Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, kemi tentuar që të inkorporojmë favorizimin e kompanive nën udhëheqjen e grave në të gjitha aktivitet që i kemi ndërmarrë."
"Ne kemi filluar skemat e granteve të cilat njërën ndër kriteret e kanë për gratë ndërmarrëse, kemi krijuar skema për trajnime dhe kemi organizuar së bashku me Presidenten, por edhe me Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës G7, aktivitete të ndryshme të cilat kanë për qëllim promovimin e ndërmarrësisë tek gratë ndërmarrëse, ka thënë Ministri Nikaj.
Ndërsa, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kjo ngjarje, e kthyer tashmë në një traditë çdo vit, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e shoqërisë, për të garantuar pjesëmarrjen aktive të vajzave dhe grave në çdo fushë të jetës, duke e vlerësuar atë si pjesë të pandashme për arritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, progresit shoqëror dhe përmbushjes së parimeve të demokracisë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka luajtur një rol të rëndësishëm me mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon ti japë promovimit të ndërmarrësisë së grave me anë të programeve të saj, duke ndërtuar një qasje gjithëpërfshirëse, duke ju ofruar grave dhe vajzave mundësinë për të përmbushur ëndrrat e tyre dhe talentin që ato kanë, ka thënë Presidentja Jahjaga.
Ajo me tej vlerësoj rolin e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, krijimi i së i cilës kishte për qëllim ofrimin e mundësive më të mëdha për gratë dhe vajzat, për zgjatjen e një dore nga gratë e biznesit për gratë e biznesit. Jahjaga shprehu besimin se puna e këtij institucioni do të përmbush misionin e tij edhe më fuqishëm në të ardhmen, duke zgjeruar praninë dhe shërbimet që ofron, dhe duke u bërë një partner i denjë i promovimit të bizneseve të grave.
E kam thënë shpeshherë që investimi në grua është investim në vizionin e një vendi dhe në trashëgiminë që duam tju lëmë gjeneratave të ardhshme të shtetit tonë. Ne jemi përcaktuar që të ecim fuqishëm drejt së ardhmes, prandaj edhe politikat tona duhet ta reflektojnë këtë orientim, duke thyer barrierat strukturore dhe kulturore, të cilat i pengojnë gratë të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit, ka thënë Presidentja Atifete Jahjaga.
Afërdita Saraqini- Kelmendi, kryetare e Bordit të G7, përshëndeti të pranishmit me një fjalim rasti. Ndërkaq, Vjosa Mulla Tahiri, bëri prezantimin Pozicioni aktual i gruas në ekonomi.