Dogana zbulon depo me mallra të kontrabanduara
Prishtinë, 21 qershor - Dogana e Republikës së Kosovës në një njoftim për media ka bërë të ditur se ka zbuluar një depo me mallra të kontrabanduara.
Njësite të Doganës gjatë ditës së djeshme kanë realizuar një kontroll në tregun me shumicë në Zonën Industriale Prishtinë Fushë Kosovë.
Gjatë kontrollimit të disa ndërmarrjeve tregtare, njësitet e Doganës kanë zbuluar një depo me mallra të ndryshme komerciale, të cilat dyshohen të jenë të kontrabanduara, pasi që pronari i kësaj depo-je ka pranuar se nuk posedon asnjë dokumentacion përcjellës për mallin e zbuluar.
Në këtë depo janë zbuluar mallra si: Ngjyra për këpucë (ILIRIA 35ml), poqa elektrikë (EΛΛAZ 100w), sprej për insekte (AEROSOL H10 400ml), dhe brisqe për rrojë (GILLETTE BLUE II), të gjitha këto në sasi shumë të mëdha
Kryesisht këto mallra ishin të kontrabanduara nga Shqiperia, Maqedonia dhe Serbia
Dogana e Kosovës menjëherë i ka konfiskuar këto mallra, si dhe ndaj pronarit të Depos në fjalë është iniciuar procedurë për kontrabandim me mallra.