Dogana dhe ATK-ja mblodhën mbi 1 miliard euro
Prishtinë, 5 dhjetor - Dogana e Kosovës (DK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë arritur që gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti ti mbledhin mbi 1 miliard euro.
Zëdhënësi i DK-së, Adriatik Stavileci, ka deklaruar se përgjatë periudhës janar-nëntor të këtij vitit Dogana ka arritur të mbledhë të hyra në shumën prej 763. 3 milionë eurosh, që është 10 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Stavileci ka thënë për gazetën Epoka e re se Dogana e Kosovës që nga themelimi e deri më tani vazhdimisht ka arritur ti rrisë të hyrat doganore krahasuar me vitet paraprake. Ndërsa sa i përket këtij viti, sipas tij, Dogana ka arritur ti rrisë të hyrat për afër 10 milionë euro më shumë se vitin e kaluar, apo mbi 1 për qind më shumë. Ai ka bërë me dije se Dogana pret që deri në fund të vitit kjo rritje në krahasim me vitin e kaluar të kalojë për 2 për qind.
Sipas tij, pikat grumbulluese të të hyrave më të larta janë Hani i Elezit dhe Vërmica. Vlera monetare e importit është shumë më e lartë krahasuar me atë të eksportit. Deri më tani Kosova ka eksportuar mallra me vlerë 285.1 milionë euro, kurse ka importuar mallra me vlerë prej 1.9 miliard eurosh, është shprehur ai.
ATK-ja mblodhi 283 milionë euro
Blerta Nikqi, zyrtare për Komunikim me Publikun në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka deklaruar se gjatë periudhës janar-nëntor 2013 ATK-ja ka arritur rezultate të konsiderueshme në aspektin e të hyrave.
Administrata Tatimore e Kosovës gjatë periudhës janar-nëntor 2013 ka arritur rezultate të konsiderueshme duke realizuar të hyra në vlerë prej 283 milionë eurosh që, krahasuar me planin e së njëjtës periudhë të këtij viti, paraqet një tejkalim për 5.8 milionë euro ose, shprehur në përqindje, për 2.1 %. Vetëm gjatë muajit nëntor ATK-ja ka mbledhur 20.8 milionë euro, ka deklaruar Nikqi.
Sipas saj, ATK-ja ka arritur ti realizojë 94 për qind të hyrave të planifikuara për vitin 2013.
Nëse e krahasojmë periudhën janar-nëntor 2013 me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të hyrat në këtë periudhë janë më të mëdha për 23.1 milionë euro ose, shprehur në përqindje, për 11 %. Pra, janë realizuar 94 % e të hyrave të planifikuara për vitin 2013, ka thënë ajo. Më tutje, ajo ka bërë me dije se kontributet pensionale për këtë periudhë janë mbledhur në vlerë prej 107 milionë eurosh. Ndërkaq inkasimi në tatime dhe kontribute pensionale, sipas saj, në total gjatë periudhës janar-nëntor ka arritur në 390 milionë euro.
Albulena S. MAVRAJ