Deficiti tregtar në vitin 2012 arriti në 2,231,5 milionë euro
Prishtinë, 25 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare ka publikuar sot Statistikat Vjetore të Tregtisë së Jashtme të bazuar në të dhënat e Shërbimit Doganor të Kosovës dhe Korporatës Energjetike të Kosovës për energji elektrike.
Sipas ASK-së deficiti tregtar në vitin 2012 arriti në 2,231,5 milionë euro, që do të thotë se edhe këtë vit kemi bilanc negativ.
Totali i eksporteve në këtë vit ishte 276,1 milionë euro. Ndërsa, importi 2,507,6 milionë euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 11.0%.
Në këtë publikim janë dhënë shumë detaje se çka importon vendi ynë nga tregu i jashtëm, si dhe çka eksporton në tregun e jashtëm.
Duke krahasuar të dhënat e eksportit për vitin 2012 me ato të vitit 2011, eksportet e mallrave kanë shënuar një rënie vjetore prej rreth -13%. Përbërësit kryesorë të eksportit, në vitin 2012, janë: produktet kimike, të cilat u rritën rreth 39%; yndyrat bimore dhe shtazore rreth 30%; mallrat e tjera të përpunuara (29%); pijet dhe duhan u rritën për 27%; ushqimi dhe kafshët e gjalla për 13%; makineritë dhe pajisjet e transportit për 3%; si dhe kemi rënie te këto grupe mallrash: mallra të paklasifikuara diku tjetër rreth (-38%); mallrat e përpunuara rreth (-27%); lëndët djegëse rreth (-18%); materiali i papërpunuar rreth (-4%).
Sa i përket importeve në vitin 2012 kanë shënuar rritje për vetëm 1%, duke krahasuar me vitin paraprak, 2011. Përbërësit kryesorë të importeve janë: yndyrat bimore dhe shtazore, te cilat u rritën rreth (22%); mallrat e përpunuara rreth (6%); produktet kimike rreth (3%); ushqimi dhe kafshët e gjalla rreth (2%); pijet dhe duhani rreth (2%); lëndët djegëse rreth (1%).
Ndërkaq, kemi rënie te grupi i mallrave: mallrat e tjera të përpunuara rreth (-9%), makineritë dhe pajisjet e transporti rreth (-3%); materiale të papërpunuara rreth (-3%).
Partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës lidhur me eksportin dhe importin janë vendet e BE-së, me pjesëmarje rreth 39% për eksport dhe rreth 39% për import; dhe, vendet e CEFTA-së, të cilat marrin pjesë me 37% për eksport dhe 34% për import, në raport me totalin e vitit 2012.
Për sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet ballkanike: Shqipëria merr pjesë me 14.6%; Maqedonia me 9.6%; Serbia me 5.4%, në raport me totalin e vitit 2012. Ndërsa, pjesëmarrjen më të madhe të importeve në Kosovë nga vendet ballkanike e kanë Maqedonia me 11.5%, Serbia me 11.1% dhe Shqipëria me 4.4% .