08 Janar 2025

Debalanc tregtar që nga paslufta

Prishtinë, 5 dhjetor -  Debalanci tregtar që nga koha e pasluftës është një vazhdimësi e keqe, e cila vazhdon t’i kanoset Kosovës.

I këtij mendimi është shprehur edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, i cili për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se arsyeja kryesore e këtij debalanci mbetet politika për zhvillimin e veprimtarisë vendore, e cila është tejet diskriminuese në krahasim me atë të importit dhe atë të prodhimeve të vendeve të ndryshme prej nga Kosova importon.

“Sa më shpejt të bëhen reforma ne do të kemi mundësi më të mëdha për të prodhuar”, është shprehur Shahini. Ai ka deklaruar se për të dalë nga kjo gjendje Qeveria e Kosovës duhet të bëjë reforma të politikës fiskale dhe tregtare. Ndërsa Alban Zogaj nga Instituti RIINVEST ka deklaruar se debalancimi tregtar, pas problemit të madh të papunësisë, është një prej problemeve më të mëdha që ka sot ekonomia e Kosovës.

“Konsideroj se problem tejet i madh është deficiti i madh tregtar. Ne kemi një nivel të lartë të importit, kurse në anën tjetër po eksportojmë shumë pak dhe kjo normalisht bën që pastaj dhe efekti i importit në GDP të jetë shumë i madh në rritje ekonomike.

Andaj, çdo zëvendësim i importit me produktet vendore, në anën tjetër edhe çdo rritje e nivelit të eksportit do të kishte ndikim direkt në rritjen ekonomike të Kosovës siç janë: hapja e vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve në Kosovë”, ka thënë Zogaj, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka rol të rëndësishëm për ta bërë një ekuilibër në mes të eksportit dhe importit si dhe përmirësimin e kualitetit të produkteve vendore.

“Qeveria e Kosovës ka rol në këtë drejtim. Roli i Qeverisë do të ishte në ndihmë të çdo formë për përmirësim e mjedisit biznesor, në mënyrë që të përmirësohet kualiteti i produktit. Sipas mendimit tim, përmirësimi i kualitetit të produktit është çështje qenësore e prodhuesve, e normalisht se Qeveria mund të ndihmojë në forma të ndryshme me taksa, me ulje të nivelit të taksave për disa produkte, subvencionim direkt, qoftë trajnime dhe certifikim në forma të ndryshme. Gama e ndihmës mund të jetë në disa mënyra”, është shprehur Zogaj.


Albulena S. Mavraj
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)