Bursa e Wall Street-it hapet me humbje
New York, 10 tetor - Bursa e "Wall Street"-it përjetoi një atmosferë negative duke u hapur me ulje si pasojë e ngërçit politik në prag të datës limit të 17 tetorit për ngritjen e tavanit të borxhit amerikan, që u reflektua në rënien e indeksit Dow Jones me 0,20 për qind dhe të indeksit Nasdaq me 0,28 për qind.
Edhe Bursa e Nju Jorkut, NYSE e përfundoi seancën e mbrëmshme me ulje duke pasqyruar shqetësimin mbi bllokimin buxhetor të shtetit federal amerikan, ku indeksi Dow Jones humbi 0,90 për qind duke arritur në 14.936,24 pikë dhe Nasdaq 0,98 për qind duke arritur në 3.770,38 pikë.
"Indeksi i Dow Jones për prodhimin industrial thelloi humbjet në fillim të seancës sepse investitorët vazhdojnë të jenë në mbikëqyrje e sipër të ngërçit buxhetor në Uashington", theksuan ekspertët e intitutit kërkimor "Schaeffer's Investment Research".
"Pa marrë ende informacion mbi situatën në Uashington apo gjendjen e ekonomisë amerikane, vlerat regjistruan një rritje të lehtë përpara hapjes së seancës. Megjithatë blerësit nuk ishin shumë të bindur", citon faqja Briefing.com.
Nga ana tjetër, gjendja e tregut të bonove ishte më e stabilizuar.
Bonot e thesarit me maturitet 10 vjeçar u rritën lehtësisht duke arritur në 2,636 për qind ndaj nivelit 2,634 për qind të regjistruar dje, ndërkohë që bonot e thesarit me maturitet 30 vjeçar qëndruan në nivelin 3,702 për qind.