09 Janar 2025

Bizneset kanadeze shohin Kosovën si një mundësi të mirë për qasje në tregun evropian

Prishtinë, 13 shkurt - Ushtrues i detyrës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, z.Bernard Nikaj, ka pritur të enjten në takim ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, jorezidente për Kosovë, Louise LaRocque me të cilën diskutoi për mundësitë e investimeve në Kosovë të bizneseve kanadeze.

Nikaj e uroi ambasadoren LaRocque për detyrën e re të ambasadores jorezidente për Kosovë, duke i dëshiruar asaj sukses në punë dhe gjithashtu falënderoi për ndihmën e vazhdueshme që Kanada po e jep në zhvillimin ekonomik të Kosovës, posaçërisht në fushën e tregtisë dhe industrisë. U.d i ministrit të MTI-së njoftoi ambasadoren për ambientin e të bërit biznes në Kosovë, për projektet që ministria e Tregtisë dhe Industrisë po i udhëheq si dhe për marrëveshjet për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve të Kosovës që pritet të nënshkruhet së shpejti me Kanadanë.

“Dy vendet tona kanë marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat dhe posaçërisht atë të tregtisë. Së shpejti do të nënshkruajmë edhe marrëveshjen për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve që do të shërbente si siguri më e fuqishme për bizneset kanadeze që dëshirojnë të investojnë në Kosovë”, tha u.d. i ministrit të MTI-së.

Nikaj e njoftoi ambasadoren se Kosova së shpejti do të ketë dy zona të lira ekonomike dhe i ftoi bizneset kanadeze që të jenë pjesë e këtyre zonave shumë atraktive për biznese. Gjithashtu ai e njoftoi për projektin e Kompleksit turistik “Brezovica” si dhe sektorin e minierave ku bizneset kanadeze janë të interesuara të investojnë.

Në takim u dakorduan për mbajtjen e forumeve ekonomik në Kosovë dhe Kanada, ku bizneset e dy vendeve do të njoftoheshin për së afërmi me të gjitha mundësitë që ofron Kosova për investime dhe në anën tjetër mundësit e rritjes së eksportit të prodhuesve kosovarë drejt Kanadasë.

Ambasadorja e kanadeze në Zagreb, jorezidente për Kosovë, znj. Louise LaRocque, tha se bizneset kanadeze janë të interesuar të investojnë pasi vendin tonë e shohin një mundësi të mirë për qasje në tregun evropian. “Bizneset kanadeze janë të interesuara të investojnë në Kosovë, pasi vendin tuaj e shohin si një treg me potenciale të mëdha në shumë fusha si dhe një mundësi të mirë për qasje në tregun evropian”, tha  ambasadorja LaRocque.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)