Bie kontrabanda në veri
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 17 mars - Në vendkalimet kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak, ka rënë kontrabanda krahasuar me dy muajt e parë të vitit të kaluar. Të hyrat doganore për muajt janar dhe shkurt të këtij viti kapin shumën e mbi 500 mijë eurove.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës (DK), Adriatik Stavileci, ka bërë me dije se dukshëm ka rënie të kontrabandës në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në krahasim me dy muajt e parë të vitit të kaluar. Këtë më së miri e tregon rritja e të hyrave doganore në shumën prej 23-përqindësh më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka thënë Stavileci për Epokën e re.
Kurse kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se në veri ka filluar të funksionojnë rendi dhe ligji.
Kjo na gëzon për arsye se tashmë Dogana dhe Policia e Kosovës janë në pikat kufitare të veriut të Kosovës dhe vetë fakti që në këtë vit kemi të hyra mbi 20 për qind më shumë se vitin e kaluar tregon se ka filluar të funksionojnë rendi dhe ligji atje, është shprehur Shahini, duke shtuar se kjo është edhe arsyeja pse Dogana e Kosovës këtë dymujor i ka rritur të hyrat nëpër këto dy vendkalime kufitare.
Mendim të ngjashëm me Shahinin, sa i përket funksionimit të kontrollit në këto dy vendkalime kufitare, ka ndarë edhe profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, i cili ka deklaruar se rritja e të hyrave në vendkalimet doganore në veri, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, dëshmon se rendi dhe ligji në Doganën e Kosovës kanë filluar të veprojnë.
Një pjesë e rezultatit të këtyre të hyrave është edhe fakti se ka filluar të funksionalizohet dhe zbatohet marrëveshja për IBM. Gjithashtu, kemi vetëdijesim të qytetarëve dhe të bizneseve që janë të gatshme të bashkëpunojnë me institucionet tona shtetërore për luftimin e kontrabandës, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative që shfaqen në pikat doganore të vendit, është shprehur Skënderi.
Ndërkaq zyrtarë të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, të kontaktuar nga Epoka e re, kanë thënë se njësitet policore kanë trajtuar vazhdimisht raste kur personat janë hasur duke transponuar mallra të kontrabanduara.
Në të gjitha rastet Policia e Kosovës ka iniciuar lëndë konform ligjeve të aplikueshme në vend dhe i kanë proceduar në gjykatë. Vazhdimisht rastet e tilla janë hetuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe nën autorizimin e prokurorëve përkatës, është thënë në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.