BE arrin konsensus për luftën ndaj evazionit fiskal
Bruksel, 24 maj - Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së ranë dakord të mërkurën gjatë një samiti në Bruksel që para fundit të këtij viti BE-ja dhe ShBA-ja të ndajnë bashkërisht të dhënat bankare.
Një gjë e tillë bëhet me qëllim për të frenuar evazionin fiskal nga kompanitë e mëdha.
Sipas statistikave të BE-së, çdo vit humbjet e saj nga evazioni fiskal arrijnë në 1 trilion euro. Kryetari i Këshillit të Europës Herman Van Rompuy u shpreh se, në kushtet aktuale të krizës financiare, lufta ndaj evazionit fiskal është bërë një detyrë urgjente.
Një rezultat tjetër i arritur gjatë samitit është se liderët e vendeve të ndryshme të BE-së ranë dakord që të nxitin në shkallë globale goditjen e evazionit fiskal.
Në një raport të publikuar në mars të vitit të kaluar nga Organizata për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik vihej në dukje se shumë kompani po shfrytëzonin ligjet jo të njëjta midis vendeve të ndryshme për t\'iu shmangur pagimit të taksave.
BE-ja e ka fokusuar objektivin e goditjes pikë së pari ndaj korporatave amerikane. Në të vërtetë, vendet e saj e kishin nisur që më parë sulmin ndaj \"Google\"-it.
Në vitin 2011 Franca nisi hetimin nëse zyra e \"Google\"-it në Paris po merrej me shitje, duke i kërkuar kësaj kompanie të paguante 1.7 miliard euro taksa. Edhe Britania e Madhe po heton veprimtarinë e \"Google\"-it.
Por analistët janë të mendimit se BE-ja do ta ketë të vështirë të godasë evazionin fiskal në mbarë botën, prandaj ka mundësi që samiti të përfundojë në \"shumë zhurmë për asgjë\".