Analizohet Zona e lirë ekonomike në Mitrovicë
Mitrovicë, 26 mars - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati priti të martën në takim, ministren për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila, me të cilën bisedoi për zhvillimin e zonës së lirë ekonomike në Mitrovicë pas miratimit të Ligjit për Zonat e Lira Ekonomike.
Kryetari Kastrati është shprehur optimist se pas miratimit të këtij ligji do të lehtësohen hapat për jetësimin e projektit për zonën e lirë ekonomike.
Ai tha se një projekt i tillë do të hapte rrugë për zhvillim ekonomik si dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Është një projekt tepër i rëndësishëm, për të cilin ne kemi ndarë edhe lokacionin dhe presim mbështetje në këtë drejtim.
Ndërsa ministrja Kusari-Lila, e cila paraprakisht kishte takuar edhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, më të cilin kishte biseduar për temën e njëjtë, tha se fillimisht ideja është që zona të lira ekonomike të organizohen në rajonin e Mitrovicës dhe në Gjakovë.
Duam të bisedojmë më konkretisht për zbatimin e Ligjit për zonat e lira ekonomike si dhe për planet e ardhmes, për sfidat me të cilat ballafaqohen të dy komunat.
Ajo theksoi se kjo vizitë realizohet në vazhdën e ngritjeve të komunikimit dhe bashkëpunimit me nivelin komunal si shumë i rëndësishëm për zhvillimin e biznesit në Kosovë dhe forcimin e ofertës së Kosovës për investime qofshin vendore apo të huaja.
I falënderoj kryetarët për bashkëpunim shumë të mirë dhe besoj në një bashkëpunim shumë më të intensifikuar. Jemi në fillimin e hapave konkretë për fillimin e zbatimit të Ligjit për zonat ekonomike.
Pas takimit, kryetari Kastrati i shoqëruar nga ministrja Kusari-Lila dhe kryetari i Vushtrrisë, kanë vizituar lokacionet e propozuara për Zonën e lirë ekonomike, mandej Parkun e Biznesit në Mitrovicë si dhe kompleksin Trepça.