AKP shpalli fituesit përmes shitjes 23 të Likuidimit
Prishtinë, 12 dhjetor - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dje në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 23 përmes metodës së Likuidimit shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Për 73 oferta sa ishin në shitje përmes kësaj vale të tenderuese gjithsej u pranuan 176 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 6,652,234 euro.
Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve janë bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm, ndërkohë që është bërë transmetimi drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë edhe për të gjithë qytetarët e interesuar që skanë qenë të pranishëm në sallë.
Shitja e aseteve përmes likuidimit nr. 23 paraqet valën e pestë të shitjeve të aseteve të mbajtur gjatë këtij viti dhe të fundit për këtë vit kalendarik, ndërsa vala e re e shitjeve do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.