Milaim Zeka suspendohet nga puna në RTK
Vendimi për shkarkimin e Zekës është marrë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Ahmetxhekaj ka thënë se vendimin për suspendimin e Zekës e ka marrë pas konfirmimit nga ana e prokurorisë se ndaj të njëjti janë tri aktakuza aktive.
“Kam kërkuar nga Prokuroria Themelore që ta sqarojë pozicionin e tij (Zekës) juridik dhe është konstatuar se ka tri aktakuza të konfirmuara dhe dy në proces”, ka thënë ai.
Shkarkimin e Zekës, Ahmetxhekaj e ka mbështetur edhe në vërejtjen e fundit të Komisionit Disiplinor të RTK-së ndaj Zekës.
“Paraprakisht Komisioni Disiplinor e ka ndëshkuar me vërejtjen e fundit më shkrim, që është një lloj para përjashtimit nga puna, për shkak të shkeljeve të rregulloreve të brendshme e që kanë të bëjnë me deklarimet e tij politike nëpër debatet politike, studiot e ndryshme që është e ndaluar me rregullore të brendshme. Kështu kam vepruar në bazë të këtyre rregulloreve dhe (Zeka) është suspenduar për 6 muaj nga puna”, ka thënë ai.
Zeka gjithashtu disa ditë me parë ka pranuar se ai ka kontratë aktive në Radio Televizionin e Kosovës, por se shkon vetëm të lajmrohet dhe të pijë kafe dhe nuk punon asgjë.
“Unë e kam kontratën e punës në RTK. Unë shkoj çdo ditë në punë pi kafe dhe dal a din pse? Sepse unë nuk kam karrige, nuk kam kompjuter thjesht nuk kam vend ku të ulem. Imagjino në televizionin publik. Pyete menaxhmentin pse kanë pru njerëz të rinj e na kanë lanë neve pa karriga”, ka deklaruar Zeka në një medium kosovar.