Zjarr në stadiumin Riza Lushta në Mitrovicë
Mitrovicë, 3 janar - Një zjarr që ka shpërthyer rreth orës 8:30 minuta, të mëngjesit të sotëm, në stadiumin e vjetër të qytetit Riza Lushta, ka shkaktuar dëme mjaft të mëdha.
Mësohet se shumë shpejt në vendin e ngjarjes ka arritur Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit, të cilët pas një kohe kanë arritur ta ndalin zjarrin, që kishte përfshirë tribunën e stadiumit.
Sipas policisë, fatmirësisht nuk ka lëndime në njerëz, përveç dëmeve material, vlera e të cilave nuk dihet ende. Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Avni Zahiti, tha se zjarri ka djegur disa pjesë të tribunës së stadiumit, të cilat kanë pas bazamentin prej druri, por ende nuk dihet saktësisht vlera e dëmeve të shkaktuara dhe as shkaktari i zjarrit. Jemi në pritje të ekspertit të zjarreve për të përcaktuar shkaktarin e tij, theksoj Zahiti, duke shtuar se deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar për aktin.
Drejtues të Klubit Futbollistik Trepça 89, kanë thënë se edhe më parë ka pas tentime për zjarrvënie nga disa të rinj, që janë parë aty duke konsumuar substanca narkotike.
Drejtori i klubit, Veton Çitaku, ka thënë se rreth orës 8:30 minuta, ka marr informatën për një zjarr që ka shpërthyer brenda në stadium. Pasi kemi dalë në stadium, kemi vërejtur se është shkatërruar nga zjarri pjesa e tribunës, ulëset dhe vendi i rezervuar për zyrtarë, por për fat pjesa e zhveshtoreve nën tribunë nuk është dëmtuar\", ka thënë ai.
Në vendin e ngjarjes, perveç Njësisë së zjarrfikësve, nga komuna jugore e Mitrovicës, janë angazhuar dhe kanë ndihmuar edhe zjarrfikësit nga komuna e Mitrovicës veriore. Me angazhim të madh të zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar, ndërkohë që ekipi hetimor i policisë ka mbledhur të dhënat në vend ngjarje dhe do të dal më vonë me një raport rreth shkaktarëve të mundshëm të zjarrit.