Xhaka do largohet nga MGladbach
Berlin, 17 prill - Xhaka dëshiron të largohet nga Borussia Moenchengladbach. Ishte vetë futbollisti kosovar që e shprehu këtë fakt teksa në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild deklaroi se nuk është aspak i kënaqur te Gladbach dhe po mendon seriozisht largmin nga Borussia Park.
21-vjeçari që luan për përfaqësuesen e Zvicrës bëri të ditur se po kalon një moment të vështirë te klubi gjerman dhe duke qënë se edhe Botërori i tij i parë me kombëtaren helvete është shumë pranë, e shqetëson fakti se qëndrimi në stolin e rezervave prej disa kohësh mund të ndikojë edhe në paraqitjen e tij në Brazil. Ish futbollisti i Baselit shtoi se trajneri Lucien Favre nuk i jep asnjë arsye përse nuk e hedh më në fushë.
Xhaka edhe pse deri në muajin Mars ishte titullar stabël në formacionin e Borussia Monchengladbach nuk ka zbritur asnjëherë në fushë që nga minuta e parë në pesë ndeshjet e fundit të skuadrës së tij.
Ndër të tjera 21-vjeçari nga Gjilani tha se ka frikë se qëndrimet e shpeshta në stol te Gladbach mund të bëjnë që ai të humbasë edhe vendin e titullarit në përfaqësuesen e drejtuar nga Otmar Hitzfeld.
Situatën e Granit Xhakës po e monitorjnë me vëmendje edhe disa klube europiane ku mbi të gjitha qëndron Interi. Megjithatë edhe ekipet angleze të Everton-it dhe Fulham-it kanë shfaqur interes për të.