Xavi nuk largohet nga Barcelona
Barcelonë, 22 korrik - Xavi Hernandez do të vazhdojë të luajë tek Barcelona të paktën deri në 30 qershor të vitit 2015.
Mesfushori i cili ishte pranë nënshkrimit me Al Arabi të Katarit dhe që në ditët e fundit ka kontaktuar me New York City të MLS-së, do të nisë stërvitjen me skuadrën katalanase në 24 korrik për të qenë gati për një tjetër sezon në elitë.
Sipas gazetës AS, lojtari veteran i Barçës ka folur me trajnerin Luis Enrique dhe e ka pranuar tashmë rolin e tij të ri në ekip.
Nuk do të jetë më një titullar i padiskutueshëm, por do të ketë mundësinë të luajë ende në një kampionat të fortë.
Xavi Hernandez është pjesë e skuadrës së parë të Barcelonës që nga sezoni 1998-1999 dhe ka kontratë me klubin deri në vitin 2016.