Wenger rinovon me Arsenalin
Londër, 28 janar - Bashkëpunimi mes Arsenalit dhe Arsene Wenger do të vijojë përtej sezonit 2013-2014.
Shefi Ekzekutiv i londinezëve, Ivan Gazidis, siguroi se 64-vjeçari, i cili është në vitin e fundit të kontratës, do të hedhë shumë shpejt të zezën mbi të bardhë, pasi negociatat për marrëveshjen e re janë drejt mbylljes.
Kontrata e re, përveçse përfitime më të mëdha ekonomike, i jep Wenger më shumë fuqi vendimarrëse për të shpenzuar para për blerjet e reja, duke nisur nga vera e ardhshme.
Gazidis shtoi se zyrtarizimi i marrëveshjes do të bëhet shumë shpejt, pasi kanë mbetur për tu përcaktuar vetëm disa detaje të vogla.
Këto deklarata Shefi Ekzekutiv i Arsenalit i dha pas marrëveshjes së arritur me firmën e njohur Puma, që bën të mundur arkëtimin e një shume të konsiderueshme parash në arkat e klubit londinez.
Me këto para jo vetëm që sigurohet vazhdimësia me Wenger, por do të afrohen lojtarë të rëndësishëm për ta shndërruar Arsenalin një nga klubet më të fortë në botë.