Vokrri, futbollistëve: Luani fer
Prishtinë, 17 gusht - Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, ka thënë se gjithçka është gati për kampionatin e ri Raiffeisen Superliga e Kosovës, i cili ka nisur të shtunën.
Vokrri në këtë bisedë për Epokën e re ka deklaruar se ky kampionat do të jetë më i mirë për shkak të investimeve që janë bërë nëpër stadiumet e futbollit në Kosovë.
Gjithçka është gati për fillimin e kampionatit. Është bërë shumë mirë që është investuar në fushat e futbollit. Sigurisht përmirësimi i fushave dhe i infrastrukturës në përgjithësi do të ndikojnë në cilësinë e futbollit të Kosovës. Shpresoj se ky kampionat do të jetë më i mirë, është shprehur Vokrri. Në këtë kontekst, Vokrri ka thënë se për shkak të investimeve edhe ndeshjet që do të zhvillohen do të jenë më kualitative. Presim që ky kampionat të jetë më kualitativ sepse përmirësimi i infrastrukturës do të ndikojë dukshëm në cilësi, ka vlerësuar Vokrri.
Ai ka thënë se gjatë afatit kalimtar futbollistik nuk ka pasur lëvizje të mëdha të futbollistëve nga një klub në tjetrin.
Secili klub i ka politikat e veta sportive. Disa prej klubeve kanë bërë përforcime më shumë e disa më pak. Këto përforcime janë bërë në bazë të kërkesave të shtabeve profesionale sportive. Pavarësisht kësaj, nuk ka pasur një eksod të madh të lojtarëve, kështu që presim një kampionat mjaft të mirë, ka deklaruar Vokrri, duke u zotuar se FFK-ja do ti mbështesë të gjitha klubet.
Klubet duhet të organizohen mirë dhe së bashku do të jemi më të fortë, ka deklaruar Vokrri.
Kreu i FFK-së ka kërkuar nga kubet dhe lojtarët që ndeshjet futbollistike ti zhvillojnë në suaza të Fair Play-it për shkak të monitorimit ndërkombëtar. Mesazhi im për klubet dhe lojtarët është që gjatë kampionatit të mbizotërojë Fair Play, sepse jemi në monitorim dhe duke zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare, është shprehur Vokrri.
Angazhohem që Kosova të jetë pjesë e FIFA-s
Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka shprehur optimizëm se ky kampionat do të jetë i fundit para pranimit të Kosovës në FIFA. Shpresoj se ky do të jetë kampionati i fundit para pranimit tonë në organizatat kryesore ndërkombëtare të futbollit, është shprehur Vokrri, duke shtuar se FFK-ja është duke bërë përpjekje maksimale që futbolli i Kosovës të njihet ndërkombëtarisht. Përpjekjet tona, që të jemi pjesë e organizatave ndërkombëtare, janë vazhdimisht me FIFA-n. Me këtë organizatë kemi komunikime shumë të shpeshta dhe shpresoj se i gjithë fokusi ynë është i përqendruar në këtë drejtim, ka deklaruar Vokrri.