Vidal operohet në gju
Torino, 7 maj - Mesfushori i Juventusit, Arturo Vidal, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në gjurin e djathtë, të mërkurën, kanë konfirmuar kampionët e Italisë.
Lojtari i kombëtares kiliane është operuar në Barcelonë për të riparuar një dëmtim të meniskut, i cili e ka shoqëruar përgjatë këtij sezoni.
Një deklaratë e Juves bën të ditur se Arturo Vidal i është nënshtruar një operacioni meniskotomie laterale të pjesshme, në gjurin e tij të djathtë, në Barcelonë. Operacioni u krye nga doktor Ramon Cugat, në prezencën e stafit mjekësor të Juventusit dhe kombëtares së Kilit. Mesfushori do të dalë të enjten nga spitali dhe do të rikthehet në Torino, për të vazhduar më tej programin rehabilitues.
Juventus nuk bëri llogari në lidhje me kohën e rikuperimit të 26-vjeçarit Vidal, i cili ka shënuar 11 gola në 32 ndeshje për gjigantët bardhezi këtë sezon, duke kontribuar edhe në ngritjen e trofeut të tretë radhazi trikolorësh. Megjithatë, rikuperimi i tij pritet të jetë në kohë, për tu aktivizuar më pas në Botërorin e këtij viti në Brazil.
Kili gjendet në të njëjtin grup me kampionët në fuqi të Spanjës, Holandën dhe Australinë, në turneun e kësaj vere, ekzaktësisht në grupin B. )