Van Gaal e konsideron Ryan Giggsin si pasardhës të tij
Manchester, 29 shtator - Luis van Gal, menaxheri aktual i Manchester Unitedit iu ka bërë të ditur shefave të klubit se e konsideron Ryan Giggsin si pasardhës të tij.
Legjenda e Djajve të Kuq e udhëhoqi skuadrën në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar pas shkarkimit të David Moyes dhe këtë edicion është caktuar si asistent i strategut holandez.
Në një takim, në të cilin kanë qenë të pranishëm edhe emra të mëdhenj të Unitedit, si Sir Alex Ferguson, Denis Law e Bryan Robson, Van Gaal ka folur për ish-anësorin uellsian.
Ishte një fjalim mjaft bindës dhe tifozët që ishin të pranishëm, u emocionuan nga fjalët e tij. Ai foli për Giggsin, të cilin e përshkroi se i ka të gjitha aftësitë për të qenë trajneri i ardhshëm dhe tha se ai po mëson gjatë gjithë kohës- ka thënë një burim për DailyMail.