Unitedi shkarkon Moyesin
Manchester, 22 prill - Manchester Unitedi ia ka treguar derën trajnerit David Moyes. Familja Glazer, e cila është pronare e klubit anglez, e ka humbur më durimin për dështimet e njëpasnjëshme të Djajve të Kuq, të cilët në edicionin e radhës nuk do të luajnë në Ligën e Kampionëve.
50-vjeçari bëhet trajneri i parë që shkarkohet nga shefat e Unitedit që nga viti i largët 1986, kur u shkarkua Ron Atkinson.
Përmes një komunikate të lëshuar në Twitter, klubi e ka falënderuar skocezin për angazhimin e tij të deritanishëm.
Humbja prej 2-0 nga Evertoni ishte e 11-ta e sezonit në Ligën Premier, ashtu që shefat e Djajve të Kuq nuk mund të lejonin që dështimet të vazhdonin edhe në edicionin e ardhshëm.
Është raportuar se veterani Ryan Giggs do të ketë rolin e lojtarit-trajner deri në fund të këtij sezoni, kurse më pas do të vendoset për trajnerin e ardhshëm.
Emri i trajnerit të Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp, është në krye të listës, por alternativë është edhe Louis van Gaal, i cili do të tërhiqet nga Holanda pas Kampionatit Botëror.