United shtynë Januzajn që të zgjedhë përfaqësuesen e Belgjikës
Manchester, 25 dhjetor - Krerët e Manchester United po e shtyjnë mesfushorin Adnan Januzaj që të zgjedhë përfaqësuesen e Belgjikës.
Ata duan që 18-vjeçari ta përfaqësojë këtë shtet, edhe pse mesfushori kosovar ende nuk ka vendosur se për cilin ekip do të luajë, pasi Shqipëria po lobon fuqishëm për ta bindur.
\"Ne shpresojmë që ai të zgjedhë Belgjikën, për shkak se kjo do të ishte zgjedhja e tij më e mirë. Po ashtu, te Belgjika Januzaj do të zhvillohej më shumë se sa në ndonjë kombëtare tjetër\", ka thënë një burim brenda \"Djajve të Kuq\", sipas asaj që raporton portali belg \"Voetba- lnieuws.be\".
Talenti kosovar është futur në ekipin e parë të Manchester United këtë sezon dhe menjëherë është shndërruar në njërin prej idhujve të tifozërisë së klubit. Deri më tani ka shënuar tre gola në Premier League, ndërsa gjatë muajit të shkuar rinovoi kontratën deri në vitin 2018.
Kohët e fundit, në tribunat e \"Old Trafford\" po këndohet vetëm një këngë që i është kushtuar Januzajt. Madje, edhe tifozët po e njohin Januzajn si belg, për shkak se ka lindur dhe është rritur në Belgjikë.
\"Duam tju tregojmë për një djalosh që mund të bëjë gjithçka. Ai vjen nga Belgjika dhe emrin e ka Adnan. Januzaj, Januzaj, Januzaj\", është kënga që tifozët e Junajtid këndojnë për Adnanin.
Ndërkohë, trajneri i United, David Moyes ka thënë se Januzaj duhet të zgjedhë vetë se cilin shtet do të përfaqësojë. Më herët, trajneri i përfaqësueses së Belgjikës, Marc Wilmots, kishte zbuluar se i kishte dërguar ftesë 18-vjeçarit, por ishte refuzuar.
Edhe Shqipëria po insiston për talentin kosovar, i cili muaj më parë deklaroi se për momentin është i fokusuar të stabilizohet në ekipin e parë të Manchesterit dhe pastaj të mendojë se për cilin shtet do të luajë.
\"Fakti që Adnani nuk është i angazhuar gjatë kohës kur luajnë përfaqësueset, është gjë e mirë për ne. Ai gjatë kësaj kohe punon më shumë në klub dhe ka qetësi më të madhe. Zgjedhja mbetet në duart e Adnanit. Ai e di shumë mirë se cila është zgjidhja më e mirë kur të vendosë se cilin shtet do ta përfaqësojë\", është shprehur David Moyes.
Januzaj këtë edicion ka debutuar edhe në Champions League dhe po llogaritet si ylli i ardhshëm i Manchester United.