07 Dhjetor 2024

UEFA zhvendos finalen e Ligës së Kampionëve nga Rusia në Francë

Paris, 25 shkurt - UEFA njoftoi të premten se e ka zhvendosur finalen e Ligës së Kampionëve të këtij viti nga Shën Petersburgu në Paris, pas sulmit rus ndaj Ukrainës.

Me anë të një deklarate UEFA tha gjithashtu se ndeshjet e klubeve dhe ekipeve kombëtare ukrainase dhe ruse të planifikuara për në fushën e tyre, do të luhen në vende neutrale "deri në një njoftim të mëtejshëm".

Organi qeverisës i futbollit në Evropë, falënderoi presidentin francez Emmanuel Macron për "mbështetjen dhe angazhimin e tij personal" për çështjen e finales.

UEFA shtoi se do të "mbështesë plotësisht përpjekjet shumëpalëshe për të miratuar një klauzolë për të shpëtuar lojtarët e futbollit dhe familjet e tyre në Ukrainë, të cilët përballen me vuajtje të tmerrshme njerëzore dhe zhvendosje."

Finalja e Ligës së Kampionëve ishte parashikuar të zhvillohej në stadiumin Zen në Shën Petersburg më 28 maj dhe pritej që mijëra tifozë nga i gjithë kontinenti të shkonin për të parë lojën më të rëndësishme të klubeve të futbollit evropian.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha në një konferencë telefonike me gazetarë se "është e turpshme që është marrë një vendim i tillë. Shën Petersburgu mund të kishte ofruar të gjitha kushtet e favorshme për të mbajtur” finalen.

Sekretarja e Kulturës e Mbretërisë së Bashkuar, Nadine Dorries, e cila është përgjegjëse për sportin, mbështeti vendimin e UEFA-s.

"Mirëpres veprimin e vendosur të UEFA-s për t'i hequr Shën Petersburgut të drejtën e organizimit të finales së Ligës së Kampionëve të këtij viti.

"Rusia nuk duhet të lejohet të shfrytëzojë ngjarjet sportive dhe kulturore në skenën botërore për të legjitimuar sulmin e saj të paprovokuar, të paramenduar dhe të panevojshëm kundër një shteti sovran demokratik", tha ajo.

Stadiumi i Shën Petersburgut njihet si Stadiumi “Gazprom” pasi ka një marrëveshje sponsorizimi me kompaninë shtetërore ruse të energjisë, e cila gjithashtu sponsorizon Ligën e Kampionëve dhe kampionatin evropian të futbollit Euro 2024.

Një grup ligjvënësish evropianë i kishin kërkuar UEFA-s të enjten të ndryshonte vendin e finales së Ligës së Kampioneve dhe të mos konsiderojë më qytetet ruse për garat e mëdha ndërkombëtare të futbollit.

Ligjvënësit i kërkuan gjithashtu UEFA-s që të ndalojë sponsorizimin nga Gazpromi për Ligën e Kampioneve. Megjithatë, deklarata e UEFA-s të premten nuk përmendte Gazpromin.

Finalja e Ligës së Kampionëve për vitin 2023 do të luhet në Stamboll, ajo e vitit 2024 në Londër, ndërsa finalja e vitit 2025 do të luhet në Mynih.

Formula Uno anulon garën Grand Prix në Rusi

Formula 1 njoftoi të premten se nuk do ta mbajë garën e saj Grand Prix në Rusi këtë sezon, duke thënë se ishte "e pamundur" ta bënte një gjë të tillë pasi sulmit rus ndaj Ukrainës fqinje.

Grand Prix ishte planifikuar të mbahej më 25 shtator në parkun Olimpik të Soçit.

"Ne po i ndjekim zhvillimet në Ukrainë me trishtim dhe tronditje dhe shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të situatës," tha Formula 1 në një deklaratë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)